Fshati Hade afër Termocentralit “Kosova B” po vazhdon të jetë rrezik për jetën e shumë banorëve të cilët vazhdojnë të jenë aty. Hadja është shndërruar në një “Ghetto” dhe njerëzit të cilën po jetojnë aty kanë një jetë të çrregulluar.
Kështu u tha në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në të cilin është diskutuar për çështjen e Hades, e cila prej anëtarëve të këtij komisioni u cilësua si pjesa më e rrezikshme e Kosovës për jetesë. Madje u tha që Obiliqi është prodhues i kancerit.
Shaip Muja, anëtarë i komisionit, njëherësh edhe deputet i pavarur i Kuvendit të Kosovës tha që Fshati Hade nuk i përmbush as kushtet thelbësore të jetesës.
“Nëse në këtë pjesë të Hades janë 300 familjarë, atyre duhet të u ndahen troje në Shkabaj. Ky nuk është konkluzion se a mund të jetojnë ata familjarë atje a jo. Sepse kjo është e prerë atje nuk mundet në ato kushte askush me jetuar. Është e turpshme ne të takohemi e të flasim për Hade. Roli jonë si deputetë është ta monitorojmë ligjin, e ligji në këtë pjesë të Kosovës është shkelur. Këtu nuk janë përgjegjës vetëm Ministria e Ambientit, por edhe KEK-u edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik”, ka thënë Muja.
Anëtari tjetër i këtij komisioni, Adem Salihaj, tha që Hada është një Ghetto dhe njerëzit të cilën po jetojnë aty kanë një jetë të çrregulluar.
“Hadja e mbetur është ‘Ghetto’, njerëzit që janë aty kanë një jetë të çrregulluar. Në vitin 2004 është ndaluar ndërtimi, ato pjesë të tokës që kanë pasur këta banor është marrë nga KEK-u Njerëzve nuk u lejohet të martohet. Krejt kjo që po ndodh është në dëm të kësaj pjese të Kosovës. KEK-u duhet të ketë një plan studimi të fizibilitetit në mënyrë që të dimë se a duhet apo jo, që ajo pjesë e Hades të merret nga ta, sepse interesi më i afërt i Hadës është vet Hada e jo Shipitulla”, ka thënë Salihaj.
Diskutimeve të shumta iu përgjigj edhe ushtruesi i detyrës së Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, i cili tha që historiku i ligjit për shpronësim ka filluar nga viti 2004 deri në 2011.
“Nga 2004 deri në 2011është zbatuar ligji për pronësi. Më pas është marrë vendim që të shkohet me kornizën e politikave të zhvendosjes. Edhe Banka Botërore ka rekomanduar që nuk mundet me u zbatuar me ligjin për shpronësim. Kjo kornizë duhet me u zbatu, por në qoftë se vetëm njëherë ka prek ekonominë familjare atëherë duhet të ndërpritet”, ka thënë Shala gjatë këtij komisioni.
Sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, ka thënë se shmangia e cila ka ndodhur është për faj të KEK-ut të cilët sipas tij ende nuk po janë në gjendje të bëjnë planin strategjik të punës në atë pjesë.
“Shmangia e cila ka ndodhur është si pasoj e ndryshimeve të KEK-ut. Planet e KEK-ut janë të aprovuara nga Qeveria e Kosovës. Kjo pjesë e Hadës e cila është në këtë gjendje është në gjendje jo të mirë pasi që KEK-u nuk ka një plan strategjik të punës në atë pjesë”, ka thënë Çitaku.
Kryetarja e këtij komisioni Duda Bale tha që e rëndësishme të dihet cilat janë qëndrimet dhe hapat e veprimit nga dy ministritë ajo e MZHE-së dhe e MMPH-së, të cilat sipas saj, janë organizma qeverisës në këtë pjesë. Ajo gjithashtu tha që puna e KEK-ut është që të informoj ministrit dhe qeverinë e vendit për çdo veprim të sajën ne atë pjesë të Kosovës.