Komisioneri për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se zgjidhja afatgjate për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë nënkupton një zgjidhje të qëndrueshme dhe realiste bazuar në të drejtën ndërkombëtare.
“Hapi i radhës është normalizimi në nivel gjithëpërfshirës, dhe në të dy anët, me ndihmën e Federica Mogherinit, të definojnë përmbajtjen e marrëveshjes ligjërisht obliguese”, ka thënë Hahn në një intervistë për mediumin serb, “Tanjug”.
Ai ka vlerësuar se dialogu i deritashëm ka çuar në normalizim të rëndësishëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq në korrik të vitit 2017, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë Federica Mogherini kanë nisur punën në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në formë të marrëveshjes ligjërisht obliguese. Gjatë viteve, dialogu ka sjellë në normalizim të rëndësishëm të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, ndërsa hapi i radhës është që ai normalizim të dërgohet në nivel gjithëpërfshirës. Të dy palët, me ndihmën e Federica Mogherinit, duhet të definojnë përmbajtjen e marrëveshjes ligjërisht obliguese”, ka sqaruar Hahn, transmeton Koha.net.
Ai ka përsëritur se me normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve do të përfitojnë të dyja vendet dhe do të jetë në interes shumë të madh për rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.
Johannes Hahn thotë se BE-ja tani pret që marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe të zbatohet pa vonesa.
“Marrëveshja parasheh që statuti i AKS-së të formulohet për katër muaj nga nisja e punës në të. Kryeministri i Kosovës u ka dhënë mandat ekipit që të nis punën më 4 prill që do të thotë se afati përfundon më 4 gusht”, shtoi ai.