Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, ka folur në konferencën e bisedimeve ekonomike të Vjenës për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, teksa ka thënë se kjo çështje është edhe në interes të Bashkimit Evropian.
Ai tha se marrëveshja historike e Prespës ka një rol të rëndësishëm në Maqedoninë e Veirut, ndërsa shtoi se ky shtet ka bërë përpjekje të madhe për reforma.
“Për këto arsye, ne duhet të përmbushim angazhimet tona, ashtu siç po i përmbush Maqedonia e Veriut për reformat që kemi kërkuar. Është në interesin tonë të përbashkët”, shkruan Opinion.
“Qeveria ka ndërmarrë hapa të mëdhenj për të përparuar në rrugën e saj euroatlantike. Greqia ishte vendi i parë që nënshkroi protokollin e pranimit në NATO, gjë që çoi në hyrjen në fuqi të marrëveshjes së Prespës. Procesi i anëtarësimit në NATO është në vazhdim dhe e ankoron vendin si një partner i besueshëm në sigurimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit dhe më gjerë”.
“Nëse nuk arrijmë të shpërblejmë marrëveshjen historike të Prespës dhe përpjekjet e mëdha të reformave në Maqedoninë e Veriut do të dëmtojmë fuqinë e tërheqjes që BE ka mbi fqinjët e saj dhe Ballkanin Perëndimor në veçanti. Nxitja e anëtarësimit në BE do të humbasë levën e saj dhe kjo do të jetë një goditje e madhe për dialogun Beograd – Prishtinë dhe në përpjekjet e BE për të eksportuar stabilitetin në rajon. Në vend të kësaj, ne do të krijojmë një vakum të madh që lojtarët e tjerë janë shumë të prirur për të eksploruar”.