Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, e ka mbështetur ambasadorin austriak në Kosovë, Gernot Pfandler, i cili ka deklaruar se Austria nuk ka ndryshuar qëndrim karshi Kosovës.
Në rrjetin social Twitter, në internet, Hahn e ka shpërndarë mesazhin e ambasadorit, se nuk ka ndryshim të pozicionit austriak ndaj vendit tonë.
“S’ka ndryshim të qëndrimit austriak karshi Kosovës. Austria është një ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën, dhe që atëherë është një prej mbështetëseve më të fuqishme të Republikës së Kosovës dhe të perspektivës së saj evropiane”, ka deklaruar ambasadori austriak.
Reagimi i tij ambasadorit erdhi pasi zëvendëskancelari i Austrisë u raportua të ketë thënë sot se Kosova është pjesë e Serbisë. Por, nëpërmjet zëdhënësit të tij, ai ka mohuar të jetë shprehur kështu për gazetën serbe “Politika”.
Deklarata se “Kosova padyshim është pjesë e Serbisë”, dhe një propozim prej tij, më herët gjatë ditës, për “të drejtën për vetëvendosje” për Veriun e Kosovës, nxitën shumë reagime në Kosovë.
Madje, Vjena zyrtare u detyrua të distancohet prej deklaratave të tij. Ministria e Jashtme e Austrisë i ka quajtur të pamatura këto deklarime të Straches.
E, reagimet në Kosovë dhe distancimi i shtetit të tij kanë vënë në lëvizje Kabinetin e zëvendëskancelarit austriak.
Zëdhënësi i Strache, Martin Glier, ka thënë për agjencinë austriake APA se shefi i tij nuk ka thënë kurrë se “Kosova padyshim është pjesë e Serbisë”.
“Austria e ka njohur Kosovën si një prej vendeve të para. Austria përkrah perspektivën evropiane edhe të Kosovës edhe të Serbisë. Ky është orientimi i Qeverisë Federale dhe asgjë nuk ka për të ndryshuar”, ka thënë Glier, sipas gazetës Kurier.
“Kosova e pavarur është një fakt dhe realitet dhe Austria e ka njohur atë”, ka theksuar ai.