Hajdari e pranon se ka pasur vonesa në furnizimin e rezervave shtetërore

Prishtinë | 18 Gus 2023 | 18:48 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka pranuar se një pjesë e totalit të furnizimit të vitit 2022, 3 përqind sipas saj, është vonuar.

Për këtë, ajo ka thënë se më 8 qershor të këtij viti është njoftuar avokatura shtetërore, raporton Ekonomia Online.

Megjithatë, ajo është shprehur e bindur se furnizimi në Rezervat Shtetërore është kryer në pajtim me ligjet në fuqi.

“Më lejoni të ju informoj se nga kontratat për furnizim për blerjen e rezervave shtetërore për vitin 2022, ndonëse se do të kisha dashur të ndaj më shumë me ju, për shkak të informacioneve të klasifikuara, ju informoj se vetëm 3 përqind të totalit të furnizimit kemi pasur vonesa, pra gjatë vitit 2022, për cilat vonesa me datë 8 qershor 2023 është njoftuar edhe avokatura shtetërore nga zëvendëssekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore, ndërsa për këtë vit, MINT është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e rezervës shtetërore me 15 milionë euro më shumë në mënyrë që t’i sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave të krizës dhe për mbijetesë”, tha Hajdari.

Në fund, ajo ka thënë se MINT ka ndërmarrë veprimet ligjore për raportimet që ajo i quan “shpifje e fyerje”, derisa ka thënë se në mandatin e saj janë dorëzuar 26 lëndë në Prokurorinë Themelore, në Policinë e Kosovës dhe në Gjykatën e Kosovës por se nuk janë njoftuar nga ta për ndërmarrjen e ndonjë vendimi.

“MINT ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për denoncimin e shpifjeve dhe fyerjeve ndaj MINT ndaj meje, ndaj zyrtarëve të kësaj ministrie tek organet e drejtësisë dhe ofron bashkëpunimin e plotë me të gjitha institucionet kompetente për këtë fjalë. Për më shumë dua të ju njoftoj sot se që nga fillimi i mandatit tim, ne kemi dorëzuar 26 lëndë në prokurorinë themelore në policinë e Kosovës dhe në gjykatën e Kosovës dhe deri më tani asnjëherë nuk jemi njoftuar nga ana e tyre për ndërmarrjen e ndonjë veprimi, ftojmë organet e lartcekura që të fillojnë t’i trajtojnë këto lëndë të dërguara nga MINT dhe kam pritur se veçse do të fillojnë me këto raste sepse tashmë janë bërë veç 2 vite”, tha Hajdari.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme