Ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti Rozeta Hajdari, ka thënë se kanë në planë që të ndihmojnë bizneset, por ka thënë se janë me kufizime buxhetore, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka kërkuar mirëkuptim nga bizneset.
Hajdari në konferencën për medie pas mbledhjes së Qeverisë tha dëshira është që të ndihmohet edhe më shumë sektori privat.
“Sot morëm vendime, por dëshira është që të marrim vendime për sektorin privat dhe me ato kufizime buxhetore që kemi është që të ju ndalim në ndihmë kemi plane që ti ndihmojmë dhe sivjet jemi me shumë kufizime në anën buxhetore. Bizneset duhet të na kuptojnë që jemi me shumë kufizime buxhetore”, tha ajo.
Hajdari ka folur edhe për Ligjin për Investime Strategjike për të cilin ka thënë se duhet të rishikohet.
“Kemi investitorë të interesuar, por si kusht i parë që të ndodhë qeverisja e mirë, që indeksi i korrupsionit të zvogëlohet. Ne do ta luftojmë korrupsionin si parakusht për të gjithë investitorët strategjikë”, është shprehur Hajdari.
“Parakushte janë edhe energjia dhe kujdesi pasues pas investimit. Ka shumë investitorë që janë larguar të dëshpëruar. Ne kemi marrë 17 aplikacione. Jo çdo investim duhet t’ia japim dritën e gjelbër pa shkuar në procedurë me qëllim të ruajtjes së interesit nacional”.
“Ka edhe kritere të tjera që investitorët duhet t’i plotësojnë”.
Ministrja ka thënë se me fuzionimin e ministrisë kanë mungesë të hapësirës për disa departamente.
“Ne me fuzionimin e ministrisë ne kemi mungesë të hapësirës edhe për dy departamente dhe nuk kemi vend as për departamentin e inovacionit dhe jemi duke shikuar për alokimin e këtij stafi. Ne kemi shqyrtimin e alokimit të 25 inspektorëve dhe janë llogaridhënës te Qeveria e Kosovës “, tha Hajdari.