Hajdari: Kosova e përkushtuar për integrim të përshpejtuar në tregun energjetik evropian

Prishtinë | 19 Pri 2026 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Në Parlamentit Evropian në Bruksel u mbajt Plenumi Parlamentar i Energy Community, me pjesëmarrjen e parlamentarëve nga Evropa Juglindore dhe Lindore, si dhe eurodeputetëve.

Si vend që mban Presidencën e Komunitetit të Energjisë që nga janari 2026, Kosova u përfaqësua nga Rozeta Hajdari, në cilësinë e kryetares së Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvendin e Kosovës. Ajo mbajti fjalim dhe bashkëkryesoi punimet e Plenumit së bashku me Borys Budka, kryetar i Komisionit për Industri, Kërkim dhe Energji (ITRE).

Plenumi u zhvillua në një kohë kur Evropa po shton përpjekjet për t’u përgatitur për një krizë të mundshme energjetike. Të pranishmit u adresuan edhe nga Dan Jørgensen, Komisioner i BE-së për Energji, dhe Artur Lorkowski, të cilët theksuan nevojën për mbështetje më të fortë politike për reformat në integrimin e tregjeve të energjisë.

Fokusi kryesor i këtij Plenumi ishte integrimi i përshpejtuar në tregjet e energjisë elektrike dhe gazit të BE-së, si dhe diversifikimi i burimeve të furnizimit sipas modeleve evropiane.

“Në një kohë kur Evropa po rrit përpjekjet për t’u përgatitur për një krizë të mundshme globale të energjisë, Plenumi u adresua nga Komisioneri i BE-së për Energji, Dan Jørgensen, dhe Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, të cilët theksuan nevojën për mbështetje më të fortë politike për reformat kyçe në integrimin e tregjeve të energjisë. Fokusi i këtij Plenumi ishte i qartë: integrimi i përshpejtuar në tregjet e energjisë elektrike dhe gazit të BE-së, si dhe diversifikimi i burimeve të furnizimit në modelet evropiane”, shkroi Hajdari.

Ajo nënvizoi edhe rolin kyç të parlamenteve në miratimin e legjislacionit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të reformave, duke garantuar angazhim të qëndrueshëm politik për sigurinë energjetike.

Sipas saj, Kosova po avancon në përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së. Vetëm këtë javë, Komisioni që ajo drejton ka miratuar në parim Projektligjin për Energjinë dhe atë për Energjinë Elektrike, të cilat tashmë janë proceduar për lexim të parë në Kuvend, ndërsa në vijim pritet shqyrtimi i projektligjeve për efiçiencën e energjisë dhe rregullatorin.

Në përfundim, Hajdari theksoi se angazhimi i Kosovës mbetet i qartë: reforma konkrete, bashkëpunim rajonal dhe integrim i qëndrueshëm në tregun energjetik evropian.

Të ngjashme