Ministrja Rozeta Hajdari, pas arrestimeve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka thënë se nuk beson në asnjë keqpërdorim të zyrtarëve të arrestuar të kësaj ministrie, raporton Ekonomia Online.
Pas aksionit të Policisë dhe arrestimit të dy zyrtarëve të MINT nën dyshimin se kanë keqpërdoruar rezervave shtetërore, Hajdari tha se ka mirëpritur çdo hetim, edhe pse kjo ka qenë në kundërshtim me ligjin.
Sipas saj, dokumentet që janë marrë për hetim janë klasifikuar si sekrete shtetërore dhe se furnizimi me mallra shtetërore është bërë në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Madje, Hajdari tha se në qeverisjen Kurti është tridhjetëfishuar malli në rezervat shtetërore, derisa ka akuzuar qeverisjet e kaluara për “vjedhje”.
“Jam njoftuar sot se në MINT kanë ardhur njësia hetuese e Prokurorisë Speciale me urdhër të prokurorit Valdet Gashi për kontrolle të dy zyrtarëve të lartë të MINT, të Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica”.
“Për më tej, PS ka bërë njoftimet për rastin që po hetohet nga ta. MINT mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, ani pse jemi të bindur se furnizimi në rezervat shtetërore është në pajtim me ligjet në fuqi.”, tha Hajdari.
“Si ministre organet hetimore pres të mos cenojnë sigurinë shtetërore, sepse gjatë hetimeve dokumentet që janë marrë si prova nga policia, janë klasifikuar si sekrete shtetërore, ndërsa policia s’ka paraqitur certifikatë siguruese”
“MINT i siguron të gjithë qytetarët se procesi i furnizimit me mallra për rezervën shtetërore me standarde dhe parametra të caktuara të cilësisë është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe nuk dyshojmë në asnjë keqpërdorim nga zyrtarët tanë që janë ndaluar sot për 48 orë në polici”.
“Ka përpjekje të mëdha që të keq informohet publiku, motivet dhe arsyet duhet të hetohet gjithashtu”.
“Më lejoni të ju njoftoj se rezervat shtetërore të mallrave bëhen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë dhe ekonomisë në rast të çrregullimit të tregut, mbrojtjes së vendit dhe situatave të tjera të përcaktuara me ligjin për rezervat shtetërore. Andaj përgjatë 2 vjetëve të qeverisë me udhëheqjen e LVV-së, rezervat shtetërorë kanë shënuar rritjen më të lartë duke u 30-tëfishuar deri më tani. E kjo për ndryshim nga qeverisjet e kaluara kur rezervën shtetërore e gjetëm në greminë, të vjedhur dhe duke cenuar sigurinë kombëtare të popullatës tonë”, ka thënë ministrja Hajdari.
Hajdari ka thënë detaje lidhur me furnizimin me mallra për rezervat shtetërore për vitet 2021, 2022 dhe 2023 duke thënë se shumë informacione nuk mund t’i ndajë pasi janë të klasifikuara sepse bëhet fjalë për siguri shtetërore.
“Sa i përket blerjeve të furnizimit për vitin 2021 më lejoni të ju njoftoj si në vijim, në vitin 2021 MINT ka shpallur tri herë procedura të prokurorimit për të blerë një sasi të rezervës shtetërore për të cilat një procedurë e prokurorimit ka përfunduar me sukses ndërsa dy kanë dështuar në sajë të mosofertimit nga operatorët ekonomikë vendorë”.
“Në tremujorin e parë të vitit 2022 furnizimi me mallra të rezervave shtetërore është trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare sepse ishte rreziku i lartë me mbyllje të kufijve në kohën kur filloi lufta në Ukrainë dhe rezerva shtetërore në Kosovë ishte në gjendje të pamjaftueshme.”, tha ministrja.
“Gjatë fillimit të vitit 2022, pra më konkretisht ne shkurt kur lufta në Ukrainë filloi solli ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit dhe mungesë të mallrave bazikë për jetesë për shkak të ndalesës së eksporteve në shumë vende, inflacionit global dhe ngritjes së çmimeve”.
“Në muajin shkurt këtë vit, qeveria e Kosovës mori vendimin me kërkesë të MINT të rrisë buxhetin për rezervën shtetërore dhe mori vendim për përjashtim nga procedurat e prokurorimit për furnizim me produktet e rezervës shtetërore sipas legjislacionit, ligjit për rezervat shtetërore, legjislacionit për buxhetin e Kosovës dhe prokurorimin publik dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe kjo për më shumë përkundër ndikimit të luftës në Ukrainë, MINT përmes departamentit të rezervave shtetërore dhe mallrave ka rritur sasinë e mallrave për 30 fish duke rritur sigurinë kombëtare të qytetarëve tanë.”, tha gjithashtu ajo.