Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka pritur në takim ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, me rastin e organizimit të konferencës “Turizmi i përbashkët Kosovë – Shqipëri”, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se me 24 qershor do të takohen Qeveritë e dy vendeve në Shqipëri, teksa shtoi se në shtator do të jetë takimi për sezonin e turizmit në Kosovë.
“Kishim dëshirë të vazhdojmë këtë komunikim për të ardhur në Kosovë dhe nesër udhëtojmë në Valbonë. Ku diskutuam të gjitha telashet dhe përparësitë për të zhvilluar sa më shumë oferta në fushën e turizmit dhe për të lehtësuar të bërit biznes. E shoh një vullnet nga Shqipëria të shfrytëzojnë potencialet e Kosovës për tregun shqiptar. Me 24 qershor do të kemi takime në Shqipëri mes dy qeverive. Përpos këtij takimi në vjeshtë do të kemi takim për sezonin e turizmit për Kosovën”.
“Jemi duke punuar edhe në brendimin e Kosovës në fushën e turizmit dhe të dixhitalizojmë sa më shumë oferta. Shqipëria ka një sukses në fushën e turizmit. Dhe të promovojmë turizmin në dy shtetet tona”, tha Hajdari.
Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, ka thënë se çmimet në bregdetin shqiptar nuk do të jenë të ekzagjeruar, pasi që këtë vit të dy vendet po përballen me shtrenjtimin e energjisë dhe karburanteve.
Madje shtojë se turizmi është faktori më i rëndësishëm që do t’i shërbejë në rritjen e ekonomisë për të dy vendet.
“Vlera e shtuar e këtij takimi ka qenë të ulurit në tavolinë të sektorit privat nga turizmi. Turizmi është më i rëndësishmi në Shqipëri me 2 milionë vizitorë. Kjo i shërben për të ndërtuar treg të hapur të turizmit. Këto pyetje shkojnë të sektori privat. Kemi vit ndryshe dhe është një vit që po përballet me rritje çmimesh të energjisë dhe karburanteve”.
“Unë konfirmoj që në Shqipëri ne kemi ruajtura të njëjtat çmime për familjarë dhe biznesin e vogël. Kemi rritje të madhe të numrit të hoteleve dhe zgjerim të hartës turistike. Ftoj gjithë miqtë e Kosovës të vizitojnë edhe vendet tjera malore jo vetëm bregdetin. Çmimet nuk do të jenë të ekzagjeruar”, tha ajo.