Në Komisionin hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka raportuar Ekrem Hajdari, ish-drejtor Menaxhues në Agjencinë Kosovare për Privatizim, i cili tregoi për presionin që i është bërë nga grupet e ndryshme të interesit, raporton Ekonomia Online.
Deputreti i VV-së, Hajrullah Çeku ka kërkuar shpjegime specifike lidhur me presionet dhe sugjerimet për ta liruar pozitën që Hajdari ka pasur atë kohë.
E lidhur me këtë, Ekrem Hajdari tha se ka pasur presion nga grupe të ndryshme të interesit jo nga partitë politike.
“Nuk ka pasur prej një grupi të caktuar. Edhe miqtë e shokët e mi kanë pasur si kërkesë që në një moment të caktuar u pashë si pengesë për një proces që dikush e ka paramenduar ndryshe. Dikush nga grupe të ndryshme interesi që besoj që s’kanë ngjyrë politike”, tha Hajdari.
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati e ka pyetur për shkarkimin e befasishëm të tij. Pse u bë me kaq nxitim? Hajdari ka thënë se e ka të vështirë të bëjë analizën në këtë periudhë kohore pra të vendimit të kryetarit të Bordit të asaj kohë Petrit Gashit.
“Me ardhjen time në AKP ka pasur kërkesë që të përshpejtohet procesi i privatizimit që të përmbyllet një herë e mirë ky proces. Diaspora atë kohë ka qenë e shkëputur nga ky proces pasi që s’kanë besuar se mund të bëjnë një blerje korrekte” ka thënë po ashtu ai.
Tutje, Deputeti i LDK-së Shkumbin Gashi ka qenë i interesuar të dijë për pagën që ka pasur Hajdari si drejtor në atë kohë.
“Paga ka qenë e saktë ashtu siç e kam deklaruar në deklarimin e pasurisë sime që ka qenë diku rreth 4500 euro”, ka thënë Hajdari.
Më tej, Gashi ka pyetur nëse drejtori në ardhje e ka bërë ndonjë veprim jo të drejtë. Kurse Hajdari ka thënë se nga ajo çfarë ka dëgjuar pastaj nuk është se është bërë ndonjë shkelje ose keqpërdorim sepse ndryshe do e bënte publike.
Ndërsa, i pyetur nga Çeku se a është anëtar i ndonjë partie, Hajdari është shprehur se nuk është dhe s’ka qenë kurrë.
Çeku ka thënë se komisioni po shikon nëse emërimet dhe rekrutimet janë bërë në mënyrë të rregullt me merita dhe e dyta nëse ata njerëz janë të afërt të partive politike.
“Unë i kam gjetur kur kam shkuar personat në fjalë në ato pozita. Nuk dyshoj që dikush ka devijuar dhe është e pakuptim që të angazhohen persona të tillë që thoni ju”, u përgjigj Hajdari.