“Hajde, shihemi” – reagimi arrogant i ministrit Zemaj pasi i shmanget pyetjes së gazetarit për mosrespektimin e masave

| 24 Kor 2020 | 18:33 | Nga

Ministri Armend Zemaj ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e gazetarëve për mosrespektimin e rregullave anti-COVID gjatë një vizite që realizoi të premten në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK.

Shefi i dikasterit të Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës vizitoi edhe pacientë që ndodheshin të shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, por pa mbajtur distancë e as veshje mbrojtëse.

Në dhomën ku ndodheshin pacientët në gjendje të rëndë shëndetësore, u lejua të futeshin edhe stafi i ministrit Zemaj e disa gazetarë. Kësisoj, pacientët u ekspozuan ndaj rrezikut të infeksionit me COVID-19.

Në paraqitjen për media pas përfundimit të vizitës, Zemajt u ballafaqua pikërisht për këtë çështje nga gazetari Bujar Vitija. Por, pyetja e tij për ekspozimin e pacientëve ndaj epidemisë së koronavirusit, nuk i pëlqeu ministrit.

“Falemnderit shumë! Hajde, shihemi”, tha Zemaj, para se të largohej nga paraqitja para mediave.

Por, pyetjes së gazetarit të cilës refuzoi t’i përgjigjej ministri, i ktheu përgjigje drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.

“Nuk jemi futur dhjetra veta në dhoma. E kemi ruajtur distancën”, u shpreh Krasniqi.

Ndër tjerash, gjatë kësaj paraqitje mediale, Zemaj u zotua se pa marrë parasysh ashpërsimin e pandemisë asnjë pacientë nuk do të mbetët pa u trajtuar.reporteri.net

Të ngjashme