Një zyrtar policor është plagosur mëngjesin e së premtes nga disa hajna që kishin shkuar për ta vjedhur bankomatin e një qendre tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinës.
Lajmin e kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës.
Policia bëri me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 5 e 30 minuta.
Sipas njoftimit, policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe ka pasur të shtëna me armë zjarri.
“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë”.
“Me të marrë informatën, policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit, për t’iu shmangur kapjes nga policia, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe për pasojë kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.
“Aktualisht policia është në vendin e ngjarjes dhe po i kryen ekzaminimet e nevojshme si dhe po i ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë zëdhënësi i PK-së në Prishtinë”.