Largimi i Achraf Hakimi po konsiderohet si një ndër gabimet më të mëdha që Real Madridi i ka bërë në vitet e fundit.
Për dy vite në formë huazimi te Borussia Dortmundi, Hakimi u rrit shumë si lojtar dhe kur u mendua se do të kthehet në Madrid, Reali e shiti te Interi për 40 milionë euro.
Për një vit në Itali, ai u rrit edhe më shumë si lojtar, bashkë me të edhe vlera e tij dhe Interi e shiti te PSG për 70 milionë euro.
Ai tashmë po konsiderohet si një ndër mbrojtësit e djathtë më të mirë në botë, derisa Reali po vuan në atë pozicion, pasi Dani Carvajal ka së paku një vit që nuk e lënë rehat dëmtimet.
Sido që të jetë, Hakimi mund ta veshë edhe njëherë fanellën e bardh, ose të paktën shpreson ta bëjë, por kur, është diçka që nuk dihet në futboll.
“Reali është klubi i fëmijërisë, falë të cilit unë jam ku jam. Kam qenë atje për shumë vite, i jam mirënjohës për gjithçka. Për momentin, nuk kam pasur mundësinë për të triumfuar atje, por kurrë nuk i dihet se çfarë mund të sjellë e ardhmja”, u shpreh Hakimi.
Achraf është njeriu i momentit te Parisi.
Ditë më parë ai shënoi dy gola, njërin në minutën e 94’, për t’ia siguruar tri pikë dramatike PSG-së.