Halimi për shkeljet kushtetuese të qeverisë: Propaganda s’mund të zë vend në demokracinë kosovare

Prishtinë | 09 Pri 2023 | 13:28 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka komentuar shkeljet e fundit të Kushtetutës nga disa prej ministrave të Qeverisë Kurti 2.

Sipas saj, këto vendime të Kushtetueses janë shpërfaqje reale e ndërtimit të demokracisë në vend dhe funksionimit të sistemit me rezon shtetëror.

“Vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës kundrejt përpjekjes së kësaj qeverie për të krijuar një realitet qeverisës antikushtues, është shpërfaqje reale e ndërtimit të demokracisë në vend dhe funksionimit të sistemit me rezon shtetëror”, shkroi ajo në Facebook.

Sipas saj, çdo përpjekje nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për të mos i respektuar vendimet e kësaj gjykate e çon vendin në krizë politike e institucionale dhe paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

“Fryma popullsite dhe propaganda nuk mund të zënë vend në historinë e demokracisë kosovare të krijuar me shumë mund nga qytetarët e kësaj Republike. Përgjatë një periudhe aq të shkurtër të mandatit të këtij pushteti, kemi jo vetëm shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës së Republikës, por edhe diskurs publik antikushtetues”, shtoi Halimi.

Të ngjashme