Hamiti për deklaratën e gazetarit gjerman: Rugova përfaqësoi vullnetin e shqiptarëve, interpretimet për ndarje janë të pasakta

Prishtinë | 03 Shk 2022 | 20:13 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thotë se deklarata e sotme e gazetarit gjerman për tri opsionet që i ka propozuar Ibrahim Rugova për zgjidhjen e problemit të Kosovës kanë ardhur nga Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi ku Rugova ishte kryesues.

Hamiti thotë se opsioni i parë edhe është realizuar, pasi Kosova është sot shtet i pavarur. Propozimet kanë ardhur nga 11 parti shqiptare, e ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka qenë ai që e ka kryesuar takiemt me diplomatët ndërkombëtar, e edhe në këtë rast me diplomatë nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Norvegjia.

Gazetari i gazetës gjermane, ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’ ka publikuar disa raporte konfidenciale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, konkretisht ambasadës së Gjermanisë në Beograd në vitet e 90-ta kur kishte filluar shpërbërja e Jugosllavisë.

Në këtë raport përshkruhet takimi i Presidentit Ibrahim Rugova me tre diplomatë evropianë në Prishtinë në dhjetor të vitit 1991.

Sipas raportit, Rugova u tha diplomatëve: “Nëse Jugosllavia vazhdon të ekzistojë, Kosova duhet të bëhet republikë e barabartë. Nëse kufijtë e brendshëm jugosllavë ndryshohen sipas parimeve etnike, ajo (Kosova) dëshiron bashkim me pjesët e Malit të Zi dhe Maqedonisë që janë të banuara me shqiptarë. Nëse Jugosllavia shpërbëhet plotësisht, Rugova kërkoi “shtet të pavarur (gjithë)shqiptar. Sipas raportit të diplomatit gjerman, Rugova nuk kishte kundërshtim thelbësor për ndarjen e Kosovës veriore me Serbinë. Në çështjen e ndarjes së mundshme të Kosovës, ai (Rugova) u tregua fleksibël, por theksoi se vetëm një komunë (Leposaviqi) kishte shumicë serbe.”, thuhet në një pjesë të raportit që ka publikuar gazetari gjerman.

Hamiti thotë se pretendimet që Rugova nuk ka qenë i brengosur me ndarjen e veriut nuk janë të sakta. Ai thotë se të gjitha partitë ishin përfaqësuese të vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës e cila përbente më shumë se 10% të popullsisë në Kosovë.

“Tri opsionet që Ibrahim Rugova po del se i ka diskutuar me diplomatë perëndimorë (nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Norvegjia) në dhjetor të vitit 1991, simbas gazetarit të gazetës gjermane “Frankufter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, janë tri opsionet e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, kryetar i të cilit ka qenë ai, shpallur më 11 tetor 1991 në Prishtinë (shih më poshtë). Mirëpo, leximi i kujdesshëm i kësaj Deklarate politike e bën të qartë se Republika e pavarur dhe sovrane, në kufijtë e atëhershëm dhe aktualë të Kosovës, ka qenë opsioni i parë, i cili është realizuar. Janë të pasakta interpretimet, pas 30 vjetësh, për gjoja moskundërshtimin e ‘ndarjes së veriut’ të Kosovës prej tij. Presidenti Ibrahim Rugova ka kundërshtuar përherë dhe fuqishëm ndarjen e Kosovës, që ka qenë qëllim i Serbisë, gjatë gjithë kohës kur ka qenë President i Kosovës, i zgjedhur katër herë, dy herë me votë të drejtpërdrejtë, dy herë nga Kuvendi i Kosovës”, shkruan Hamiti.

Ky është shkrimi i plotë i Hamitit me të gjitha detajet e tri opsioneve:

PJESËT KYÇE TË DEKLARATËS POLITIKE PËR TRI OPSIONET (1991)

Tri opsionet që Ibrahim Rugova po del se i ka diskutuar me diplomatë perëndimorë (nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Norvegjia) në dhjetor të vitit 1991, simbas gazetarit të gazetës gjermane “Frankufter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, janë tri opsionet e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, kryetar i të cilit ka qenë ai, shpallur më 11 tetor 1991 në Prishtinë (shih më poshtë).

Mirëpo, leximi i kujdesshëm i kësaj Deklarate politike e bën të qartë se Republika e pavarur dhe sovrane, në kufijtë e atëhershëm dhe aktualë të Kosovës, ka qenë opsioni i parë, i cili është realizuar.

Janë të pasakta interpretimet, pas 30 vjetësh, për gjoja moskundërshtimin e ‘ndarjes së veriut’ të Kosovës prej tij. Presidenti Ibrahim Rugova ka kundërshtuar përherë dhë fuqishëm ndarjen e Kosovës, që ka qenë qëllim i Serbisë, gjatë gjithë kohës kur ka qenë President i Kosovës, i zgjedhur katër herë, dy herë me votë të drejtpërdrejtë, dy herë nga Kuvendi i Kosovës.

Duke parë se Jugosllavia u tregua model i pasuksesshëm për zgjidhjen e çështjes kombëtare në Ballkan, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2 Korrik 1990 shpallën Deklaratën për Pavarësi dhe më 7 Shtator 1990 Kosovën e Shpallën Republikë. Kjo ishte zgjidhje logjike e organizimit shtetëror të Kosovës, si njësi politiko-territoriale, në të cilën jetojnë 90% shqiptarë dhe vetëm 10% të tjerë.

Partitë politike shqiptare në Jugosllavi, si zëdhënëse legjitime të vullnetit politik të popullit shqiptar, duke u përcaktuar për rrugën paqesore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje, sipas parimeve të KESB-së, të Konferencës së Parisit, u përcaktuan për këto variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi:

  1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
  2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
  3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.

Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 Shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush.

Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi

Dr.Ibrahim Rugova, kryetar

  1. Lidhja Demokratike e Kosovës
  2. Partia e Prosperitetit Demokratik
  3. Lidhja Demokratike në Mal të Zi
  4. Partia për Veprim Demokratik
  5. Partia Fshatare e Kosovës
  6. Partia Shqiptare Demokristiane
  7. Partia Parlamentare e Kosovës
  8. Partia Socialdemokratike e Kosovës
  9. Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar
  10. Partia Popullore Shqiptare
  11. Partia Demokratike Shqiptare
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme