Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani, e cila dje ka thënë se draft-statuti i Asociacionit nuk do ta kalojë testin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka rikujtuar se Qeveria e Kosovës e ka pranuar këtë dokument.
Hamiti ka rikujtuar qëndrimet e kryeministrit Kurti, kur kishte shprehur gatishmëri edhe ta nënshkruante këtë dokument.
“Në procesin e dialogut me Serbinë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit të 18 marsit të atij viti, sikur edhe Draftin e BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të 21 tetorit të viti 2023. Siç kanë vlerësuar njohësit e çështjeve kushtetuese me kohë, Drafti binte ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe po të zbatohej do të krijonte autonomi politiko-territoriale për serbët. Komunikata e Qeverisë së Republikës së Kosovës e datës 26 tetor 2023 njoftonte për gatishmërinë e Albin Kurtit që t’i nënshkruante të trijat, domethanë edhe Draftin e BE-së: ‘Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike’. Kosova ka bërë politikë të jashtme të çakorduar në kohën e pushtetit aktual, Qeveri dhe Presidencë. Kjo kastë pushtetore nuk ia ka siguruar Kosovës asnjë njohje të re në katër vitet e kaluara; asnjë anëtarësim relevant në institucione ndërkombëtare. Vitin e kaluar Kosova nuk ia doli të anëtarësohej në Këshillin e Evropës, ndonëse kjo dukej gati e paevitueshme atëherë. Tash e dy vjet, për fajin e Qeverisë së Albin Kurtit, Kosova po i vuan pasojat e sanksioneve të BE-së”, shkroi në facebook anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti.