Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka përgënjeshtruar deklarimet se njëri nga të arrestuarit sot në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Industrisë (MINT) është dhëndër i familjes së tij, përkatësisht se është i martuar me vajzën e vëllait të tij.
Deklarata është publikuar nga një portal mbështetës i pushtetit dhe është shpërndarë nëpër rrjete sociale, gjatë ditës nga eksponentë të Vetëvendosjes, duke dashur që zyrtarin e arrestuar në Ministrinë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari ta lidhin me “pushtetin e vjetër”.
“Gjuhës së tillë shpifëse, fyese, mashtruese e propoganduese duhet t’i vijë fundi”, ka shkruar Hamza në Facebook.
POSTIMI I PLOTË:
Një person me emrin Qëndrim Krasniqi, publikisht ka deklaruar se “Irfan Lipovica, i arrestuar ditën e sotme, është dhëndër i Bedri Hamzës dhe se i njëjti është martuar me vajzën e vëllaut tim”. Kjo është një e pavërtetë e madhe dhe një shpifje shumë e ulët.
Prandaj, nëse ky person nuk e tërheq deklaratën e pavërtetë të tij dhe për të njëjtën nuk kërkon falje në mënyrën e njëjtë siç ka shpifur, do ta padis, njejtë siç kam bërë edhe në raste të tjera ndaj personave të tillë.
Për sqarim për opinionin, unë i kam dy vajza dhe nuk janë të martuara dhe kam vetëm një vëlla i cili e ka vetëm një vajzë që as nuk është e martuar e as nuk punon, është studente në vitin e tretë në fakultet.
Gjuhës së tillë shpifëse, fyese, mashtruese e propoganduese duhet t’i vijë fundi.
Qëndrim, shihemi në gjykatë!