Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka shkuar në Hagë për t’u takuar me ish-udhëheqësit e UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale.
Hamza u shpreh thellësisht i prekur pas takimit, ndërsa shkroi në Facebook se ata “po paguajnë çmim të lartë dhe shumë të padrejtë”.
“Sa herë që jam në Hagë për t’i takuar presidentin Thaçi, kryetarin Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, ndjehem krenar kur i shoh të fortë e të pathyeshëm, por thellësisht i prekur kur vjen koha të ndahem prej tyre. Ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe të shtetit po paguajnë çmim të lartë dhe shumë të padrejtë, që luftës për liri, pavarësisë dhe Kosovës t’ia heqin njollat që padrejtësisht na u vunë”, shkroi Hamza.
Ai tha se për pak orë u çmall me liderët e luftës, për të cilët tha se ishin “plot shpresë”.
“U çmallëm për pak orë dhe u gëzova shumë kur i pashë plot shpresë që e vërteta e luftës së UÇK-së, ajo që të gjithë ne e njohim, presin të konfirmohet në fund të këtij procesi të stërzgjatur gjyqësor. Njëkohësisht, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe të vërtetën e luftës së popullit tonë”, shkroi Hamza.
“Rikthimi i tyre në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit të tyre, është akti më i drejtë juridik, politik e moral, i cili padrejtësisht po zvarritet”, shtoi ai.