Hamza në 18-vjetorin e pavarësisë: Lufta jonë po gjykohet, UÇK nuk ishte ndërmarrje kriminale

Prishtinë | 17 Shk 2026 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Kosova është realitet i pakthyeshëm, dhe se shteti i Kosovës është projekt i përfunduar i lirisë, kështu tha kryetari i PDK-së, Bedri Hamza në fjalën e tij në seancën solemne të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës e ku theksoi se pavarësia nuk është vetëm flamur dhe himn, por siguri e drejtësi, raporton Ekonomia Online.

Hamza aty përmendi dhe gjykimin e ish-drejtuesve të UÇK-së që po bëhet në Hagë e ku nënvizoi se nuk do të lejojnë që historia të nënshkruhet në kurrizin e sakrificës.

“Pavarësia nuk është vetëm flamur dhe himn, por është siguri dhe drejtësi. Është ruajtje e së vërtetës sonë historike. Sot festojmë, por njëkohësisht edhe reflektojmë, sepse ndërkohë që ne ndërtojmë të ardhmen, pjesa më e lavdishme e historisë sonë, lufta çlirimtare, është në bankën e të akuzuarve në Hagë. Lufta jonë çlirimtare po gjykohet; ata që kanë kontribut në shtet po gjykohen. Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi po gjykohen. Dhe sot duhet ta themi qartë dhe me vendosmëri: besimi i Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare nuk duhet tradhtuar. Ne nuk lejojmë që historia të nënshkruhet në kurriz të sakrificës sonë. Ne nuk pranojmë barazi artificiale mes agresorit serb dhe rezistencës sonë për liri. Nuk pranojmë që drejtësia të bëhet selektive”, tha Hamza.

Hamza ka potencuar se UÇK-ja nuk ishte ndërmarrje kriminale, por ishte ushtri clirimtare.

“UÇK nuk ishte ndërmarrje kriminale, ishte ushtri çlirimtare. Ishte përgjigje ndaj shtypjes, zëri i një populli që nuk kishte rrugë tjetër. Kosova kërkon drejtësi, por drejtësi të vërtetë, që nuk relativizon sakrificën; drejtësi që nuk i nënshtrohet politikës, sepse liria jonë nuk është krim. Pavarësia jonë nuk është gabim historik, por e drejtë e fituar me shumë heronj, dëshmorë, martirë dhe përkrahje të aleatëve tanë”, theksoi Hamza.

Gjatë fjalës së tij Hamza kujtoi edhe momentin kur Kosova shpalli pavarësinë.

“Më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta, është dita dhe ora kur flamuri ynë u ngrit për herë të parë në këto institucione. Është dita kur guximi i brezave tanë dhe sakrifica e tyre u bë shpresë e përjetshme për çdo qytetar. U shpall Republika e Kosovës, u shpall fundi i një padrejtësie historike. Kjo ditë nuk ishte rastësi, ishte përfundim i një rruge të gjatë dhe sakrifice. Ishte kulmimi i rezistencës, ishte fitore e vendosmërisë së një populli që refuzoi të nënshtrohet. Kosova kaloi nga sakrifica në sovranitet, nga rezistenca në republikë dhe nga ëndrra shekullore në realitet shtetëror. Pra, kjo Republikë është fitore. Themelet e saj janë të skalitura me gjakun e dëshmorëve, janë të ngritura mbi sakrificën e atyre që zgjodhën lirinë mbi jetën. Prandaj, sot në këtë ditë shumë të rëndësishme të popullit tonë, ne përulemi me mirënjohje para familjeve të dëshmorëve, luftëtarëve të lirisë, para çdo qytetari që kontribuoi në këtë ditë dhe përulemi me mirënjohje edhe para aleatëve tanë. Në orët më të errëta të historisë sonë, bota demokratike nuk heshti. Ndërhyrja e NATO-s ishte momenti kur ndërgjegjja e qytetërimit u bë mburojë e Kosovës. U jemi përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut tonë të madh dhe aleatit tonë strategjik, që qëndruan në anën e duhur të historisë. Faleminderit BE-së dhe çdo shteti që njohu pavarësinë tonë”, u shpreh ai.

Të ngjashme