Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, pas tubimit masiv në Drenas, i ka vazhduar takimet e tij me qytetarë edhe në Fushë Kosovë dhe në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
“Ne e dojmë shtetin, pavarësisht a jemi në pozitë a jemi në opozitë, se për neve shteti, Kosova, është mbi të gjitha, Kosova është e para. Mirëpo, katër vitet e fundit realisht jemi përballë me mungesë të rezultateve, nuk ka asnjë projekt domethënës kapital që ka ndodhë brenda këtyre katër viteve. Na dimë me punu, nuk shkojmë në qeveri me mësu. Ne në qeveri shkojmë me punu. 6 miliardë euro investime, projekte të infrastrukturës rrugore, modernizim të hekurudhave, furnizim me ujë dhe projekte të tjera transformuese që do ta ndryshojnë Kosovën. Ne kemi nevojë që qytetarët tonë të kenë përkujdesje shëndetësore. Do t’i funksionalizojmë sigurimet shëndetësore, do t’i rregullojmë, rinovojmë, investojmë në shtatë spitalet rajonale gjithandej Kosovës. Do ta dyfishojmë buxhetin për barnat esenciale, 150 milionë euro në vit për barnat esenciale, për të sëmurët me sëmundje të kancerit dhe sëmundje të tjera kronike”, ka thënë Hamza në Fushë Kosovë.