Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës gjatë ditës së sotme. Një ndër vendimet e miratuara ishte edhe shqyrtimi i Nismës për negocimin e “Marrëveshjes për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal lidhur me Tatimet mbi të ardhurat dhe mbi Kapitalin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë’’.
Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se procesi i nënshkrimit të marrëveshjeve tatimore ndërkombëtare në kohën kur ekonomia luan rol në shmangien e tatimit të shtetit dhe evazionit është hap i rëndësishëm, raporton Ekonomia Online.
“Aktualisht në fuqi është një marrëveshje e trashëguar nga koha e Jugosllavisë që nuk është e favorshme për këtë kohë. Në fuqi janë 11 marrëveshje dhe si qëllim është të kemi marrëveshje me shtetet e BE-së. Marrëveshja e bashkëngjitur paraqet pozicionin e Kosovës dhe disa politika tatimore”, u shpreh ministri Hamza.
Njëra ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe “Shqyrtimi i propozim vendimit për t’i rekomanduar presidentit të Republikës së Kosovës, dhënien e autorizimit Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, për nënshkrimin e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit, “Konkurrenca e Ndërrmarrjeve dhe ndërrrmarrjeve të vogla dhe të mesme- Cosme 2014-2020, ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës , raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani rekomandoi presidentin Hashim Thaçin, për dhënien e autorizimit të MTI-së, për nënshkrimin e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit.
Ndërsa propozim tjetër pati Ministri Inovacionit Besim Beqaj, i cili kërkoi që këtij komisioni t’i shtohen edhe dy zyrtarë nga Ministria e Inovacionit në mënyrë që fondet e ndara të jenë në funksion.