Hamza nga Prizreni: Kosova nuk ka më kohë për të humbur, shteti duhet udhëhequr me plan

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 21:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se nga Prizreni historik ka nisur rruga drejt fitores, duke theksuar se Kosova po përballet me pasoja serioze të keqqeverisjes.

“Nga Prizreni historik, u nisëm drejt fitores”, ka shkruar Hamza, duke vlerësuar mbështetjen qytetare dhe energjinë e tubimit.

Ai ka thënë se vendi po vuan nga keqqeverisja dhe se qytetarët po e paguajnë këtë gjendje me kosto të lartë jetese, paga të ulëta dhe pasiguri.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Kosova po vuan nga keqqeverisja dhe qytetarët po e paguajnë çmimin me kosto të lartë jetësore, paga të ulëta, pasiguri energjetike dhe largim të të rinjve”, ka theksuar Hamza.

Sipas tij, udhëheqja e shtetit kërkon planifikim dhe përgjegjësi, e jo improvizime.

“Shteti nuk mund të udhëhiqet me improvizime. Shteti udhëhiqet me plan”, ka deklaruar ai.

Hamza ka premtuar një qeverisje gjithëpërfshirëse, duke theksuar se do të punojë për të gjithë qytetarët pa dallime.

“Qeveria ime do të punojë për të gjithë, pa përjashtime”, ka thënë ai.

Hamza ka apeluar për bashkim dhe angazhim të përbashkët drejt ndryshimit.

“Kosova që funksionon nis me ne. Me ty. Me të gjithë. Bashkë. Përpara.”

Të ngjashme