Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se buxheti 2026 është buxhet që menaxhon status quo-në por ka hedhur edhe dyshime se pse gjithë kjo urgjencë për ta votuar atë, raporton Ekonomia Online.
“Po e kuptoj rëndësinë që vendi me pasë buxhet dhe për asnjë arsye dhe në asnjë moment mos me pasë situata ku nuk mund t’i kryejmë pagesat për të gjitha kategoritë. Mirëpo, me na tregu vullnet të mirë edhe jemi të bindur që kemi bërë mirë, që kemi votuar vendimin për zgjatjen e shfrytëzimit të ndarjes buxhetore.
Edhe sot treguam vullnet të mirë, sepse votuam që kjo pikë e rendit të ditës të vendoset sot, sepse kërkon shmangie prej procedure dhe kërkon dy të tretat e votave të pranishme. Nuk e kuptoj pse kjo urgjencë kaq e madhe. Ne nuk duam edhe nuk lejojmë vonesa. Por pse kjo urgjencë kaq e madhe? Po vetëm dy arsye më shkojnë ndërmend. E para, që t’i pamundësojmë deputetët, pozitës dhe opozitës, që me diskutimet e tyre sigurisht që shprehin edhe kritika, mirëpo të japin edhe propozime edhe alternativa që sigurisht ndikojnë pozitivisht në këtë dokument kaq rëndësishëm që po shqyrtojmë sot. Dhe e dyta, nuk dua me besu sepse vendi ka nevojë për institucione, ka nevojë për stabilitet dhe nuk du me besu që kjo çështje lidhet me rastin e zgjedhjes së presidentit apo presidentit apo presidentes“, tha Hamza.
Hamza ka thënë se me shpenzimet e rritura për subvencione dhe transferet e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme
“Buxheti i propozuar për vitin 2026, është buxhet që menaxhon status quo-në. Kjo si rezultat i rritjes së shpenzimeve operative dhe posaçërisht të transferteve dhe subvencioneve. Kjo ndikon në rritjen e konsumit në periudhë afatshkurtër, por në periudhë afatgjatë, si rritje e shpenzimeve rrjedhëse, e zvogëlon hapësirën për investime kapitale. Këto shpenzime të rritura për subvencione dhe transferet e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme dhe sigurisht se do të ndikojnë në pamundësinë e zgjerimit të bazës prodhuese dhe eksportuese“, theksoi Hamza.

