Komisioni për Buxhet dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e radhës ku në rend dite ishte i paraparë shqyrtimi në parim i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.
Ministri i Financave, Bedri Hamza ka prezantuar para komisionit për Buxhet e Financa projekt buxhetin për vitin 2018.
“Në lidhje me prioritetet ekonomike ekipi i Ministrisë së Financave, duke u bazuar në të dhënat e fundit kemi bërë projeksionet për rritje ekonomike e cila do të jetë 4.6 për qind në terma reale ndërsa ato nominale do të jetë mbi 6 për qind. Përafërsisht rritje të njejtë ka projektuar edhe BB për Ballkanin e cila duket të jetë më optimiste se pritjet tona. Kjo pritje pritet të bëhet nga mbështetja e investimeve”
“Të hyrat nga ATK do të jenë 446 milionë euro, të hyrat nga dogana pritet të jenë 1 miliard e 875 milionë euro. Shpenzimet buxhetore janë rritur për 15 për qind. Në kuadër të shpenzimeve: Paga dhe mëditje 589 milionë euro. Ky buxhet parasheh rritjen e pagave për sektorin publik nga 1 janari 2018. Për subvencione e transfere parashihen 525 milionë euro. Mallra dhe shërbime vlera 264 milionë euro, apo një rritje prej 7.9 për qind në raport me buxhetin 2017. Shpenzimet kapitale kanë shënuar rritje në 10.8 për qind ”, tha Hamza.
“Buxheti i komunave: 50 milionë euro do të jetë rritje e buxhetit në nivel komunal. 491.2 milionë euro buxheti për komuna. Burimet e financimit: Rritja e grantit të përgjithshëm 179.4 milionë euro. Për Agjencinë Anti Korrupsion buxheti është rritur për 10 për qind. 36 për qind është rritur buxheti edhe për kulturë, rini e sport. Parashihet një deficit në nivel të qëndrueshëm 112 milionë euro apo 1.7 për qind e GDP-së”
Ministri Hamza, tregoi se prioritet do të jetë klauzola e investimeve dhe trajtimi i ujërave të zeza.
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa Lumir Abixhiku tha është proceduar në Kuvend, buxheti për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Abdixhiku tha se ka një mungesë të lidhjes së buxhetit në raport me rritjen ekonomike.
“Rritja ekonomike 4.6 për qind është në kundërshtim me planin e Qeverisë. Buxheti është shndërruar në mjet të luksit publik. 22 ministri e 70 zëvendësministra po e shtojnë barrën fiskale në buxhet. Nisja e një programit të kursimit do të ishte shumë e mirë. Ka mundësi që ky buxhet të tkurret”
“Për një nxënës ne japim 50 euro. Është shqetësuese që është zvogëluar buxheti për zhvillimin e kurikulave për 30 për qind dhe shkurtimi i buxhetit për zhvillimin e mësimdhënësve. 58 milionë euro nuk është shuma e duhur për veteranët. I bëj thirrje Qeverisë që të bëj kategorizimin dhe pastrimin e listave të veteranëve. Në vend që të japim këto para për veteranët që s’janë veteranë, të dyfishojmë shumën për veteranët e vërtetë”, tha Abdixhiku.
Nënkryetarja e Komisionit për Buxhet e Financa, Safete Hadërgjonaj tha se drafi i buxhetit është përgatitur mirë, pasi përmban të gjitha kërkesat.
“E kam vlerësuar rritjen e buxhetit në sektorin e drejtësisë dhe rritja prej 13 përqind është për tu vlerësuar. Te shëndetësia kemi një rritje të mjeteve për buxhet: 21 përqind për nivelin qendror dhe 9 për qind për grantin komunal”
Hadërgjonaj përmendi edhe rritjen e buxhetit në kulturë prej 36 përqind.
Blerim Kuqi anëtar i komisionit, kërkoi sqarime shtesë lidhur me mekanizmat e sigurisë dhe sovranitetit të shtetit
“Kërkoj nga ministri sqarime shtesë në lidhje me mekanizmat e sigurisë dhe sovranitetit të shtetit. Element tjetër që se kam parë në buxhet është çështja e programit të veçantë për punësimin e të rinjëve sepse ne po flasim për ndaljen e të rinjëve për ikje nga Kosova”
Ndërsa, Dardan Molliqaj tha se ky buxhet nuk ka ndonjë ndryshim prej buxheteve paraprake.
“Unë nuk kam parë se si investimet kapitale kanë me ndiku në ekonomi. Problem tjetër është sikurse Qeveria e Kosovës parasheh një buxhet të përgjithshëm prej mbi 2 miliardë euro dhe nuk besoj që kjo do të arrihet”.