Hana Halilaj është zgjedhur si kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës.
“Jemi tejet të lumtur të ju njoftojmë për emërimin e Hana Halilaj si Kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës”, thuhet në njoftimin e GKK-së.
“Gjatë dy viteve te fundit, Halilaj ka hulumtuar dhe riaktivizuar arkivin e Galerisë Kombëtare të Kosovës duke i prezantuar disa nga këto materiale arkivore në ekspozitën ‘Një Arkiv në Nënçati: Informator mbi Galerinë Kombëtare të Kosovës’ (2022)”.
“Me ekspertizë të gjerë mbi historinë dhe rolin e institucionit, si kuratore ajo sjell përvojën e saj në galeri për ta mbështetur më tej programin dinamik të ekspozitave dhe projekteve hulumtuese e edukative të cilat do kontribuojnë në misionin e institucionit”.
Halilaj është kuratore e ekspozitave si Dhomë për Kujtime të Pabëra (2022) në Galerinë Qafa, Clubbing Insistence: After a Party (2022) në Doza Gallery dhe Toplocentrala, Informator (2022) në Muzeun e Artit Hessel, Alije Vokshi: I Decided to Draë Bigger Hands (2021) në Chert Lüdde dhe Heronjtë Publikë dhe Sekretet (2020) në Muzeun Kombëtar të Kosovës.
Ajo ka pasur role kuratoriale në Kunsthalle Portikus dhe Storefront for Art and Architecture. Po ashtu, ka qenë pjesë në hulumtim në programin C-MAP në Muzeun e Artit Modern (MoMA), ndërkaq aktualisht shërben si Asistente Kuratore në CuratorLab në Universitetin e Arteve Konstfack, në Stokholm.
Haillaj i ka kryer studimet master në Qendrën për Studime Kuratoriale në Kolegjin Bard.