Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka vizituar shoqatën HANDIKOS, ku u njoftua rreth gjendjes së personave me aftësi të kufizuara, në veçanti përgjatë pandemisë COVID-19.
Drejtori i HANDIKOS, Afrim Maliqi ngriti nevojën emergjente për mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë në ngritjen e kapaciteteve dhe ofrimin adekuat të shërbimeve ndaj personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.
“Në të njëjtën kohë, Maliqi ia dhuroi ministrit z.Zemaj raportin hulumtues ‘’Standardet ndërkombëtare mbi çështjet e aftësisë së kufizuar: Ku qëndron Kosova?’’ të publikuar javë më parë nga HANDIKOS”, thuhet në komunikatën e HANDIKOS.
Ministri Armend Zemaj u zotua se do të ofrojë bashkëpunimin dhe mbështetjen e tij në nevojat kyçe të organizatës dhe zgjerimin e kapaciteteve të saj.
Zemaj pa për së afërmi edhe ambientet e Qendrës së Resureve HANDIKOS dhe u njoftua me shërbimet virtuale dhe ato të pajisjeve ndihmëse të cilat po ofrohen aktualisht për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Në takim morën pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fetah Rudi dhe Avokuesi i të Drejtave të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara, Rijad Mehmeti.