Handikos udhëzon personat me aftësi të kufizuara të padisin institucionet kur hasin në diskriminim

Prishtinë | 01 Mar 2021 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Handikos ka shënuar 1 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës me mesazhin kryesor ‘’Aty ku s’ka qasje, ka diskriminim’’, ku përmes një videoje vetëdijësuese janë ofruar udhëzime për të gjithë personat me aftësi të kufizuara se si të veprojnë në rastet kur hasin në diskriminim, si pasojë e mungesës së qasjes infrastrukturore.

Videoja tregon hapat të cilët duhet ndjekur të gjithë ata që duan të ushtrojnë padi ndaj institucioneve që nuk ofrojnë qasje sipas standardeve në Kosovë.

Përveç kësaj, Handikos gjatë ditës do të publikojë video udhëzuese se si personat me aftësi të kufizuara mund të intevenojnë nëpër karrocat e tyre në kushte shtëpie, në rastet kur hasin në dëmtime.

Në shenjë solidarizimi, stafi i Handikos sot ka sfiduar veten duke funksionuar nëpër karroca gjatë gjithë orarit të punës.

Handikos tutje u bën thirrje të gjithë personave me aftësi të kufizuara që të ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore dhe të veprojnë përmes gjykatës kurdo që diskriminohen në qasje, pasi një gjë të tillë ia garanton Ligji kundër Mbrojtjes nga Diskriminimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme