Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma është takuar me zëvendësministrin e Diasporës Janez Frokaj, ku kanë biseduar rreth mundësisë së bashkëpunimit në fusha të ndryshme që do ta kenë institucionet qendrore dhe ato lokale për pritjen e diasporës.
Suma bashkë me Frokaj diskutuan për përgatitjet e përbashkëta, për kërkesat që MeD i ka karshi Komunave për pritjen sa më të mirë të diasporës, të angazhimit shtesë të personelit si dhe për aktivitetet kulturore që do të organizohen gjatë muajit të diasporës, në muajin korrik.
Pas takimit, Suma tha se komuna e Hanit të Elezit është e gatshme në ndërmarrjen e veprimeve nga administrata komunale për ofrimin e shërbimeve sa të mira për diasporën, mobilizim të shtuar dhe zgjatjen eventuale të orarit të punës gjatë korrikut, përgatitjen dhe organizimin e një takimi me bashkatdhetarë të diasporës, me qëllim të bashkëbisedimit për të identifikuar mënyrat e vendosjes së kontakteve e të bashkëpunimit me komunitetet e tyre.
Komuna e Hanit të Elezit u pajtua edhe për caktimin e një zyrtari në Komunë, i cili do të angazhohej për vendosjen e kontakteve me diasporën dhe me adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me ata si dhe organizimin dhe mbajtjen e aktiviteteve e programeve kulturore për bashkatdhetarët.
Bashkëbiseduesit u pajtuan sa i përket fushës së investimeve nga diaspora, komunat në përgjithësi janë një akter i rëndësishëm dhe me një punë të përbashkët të nivelit qendror edhe të atij lokal do të mundë të krijohej një hapësirë dhe një ambient sa më i mirë për investime