Të hënën janë hapur xhamitë në gjithë Shqipërinë. Këtë e ka bërë të ditur Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e COVID – 19 në Shqipëri, ka marrë vendim për rifillimin e aktivitetit fetar nëpër xhamitë e të gjithë vendit”, thuhet në njoftim.
Komuniteti i Myslimanëve të Shqipërisë ka njoftuar edhe për masat që do të merren me rastin e hapjes së xhamive. Parashikohet dezinfektimi i xhamive para se të fillojë frekuentimi i tyre, marrja e abdesit në shtëpi, mbajtja e maskës dhe dorezave.
Në xhami do të ndalohet shfrytëzimi i hapësirave përcjellëse, ndërsa do të kërkohet mbajtja e distancës. Nuk do të lejohet hyrja e personave me simptoma të sëmurjes dhe ata me sëmundje kronike.
“Nuk lejohen grupmoshat nën 12 vjeç si dhe mosha mbi 65 vjeç. Ndalohet qëndrimi në xhami para dhe pas ritualeve si dhe prekja e sendeve si librat, Kuranet, raftet. Hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup”, thuhet ndër të tjerat në njoftimin e Bujar Spahiut, kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.