Me rastin e 140-vjetorit të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, sot në Bibliotekën e Lipjanit është hapur ekspozita “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878”, e cila u mundësua nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Qendra Dokumentare Shkencore dhe Këshilli Kombëtar për Paqe.
Nënkryetari i Lipjanit, Fauz Xhemajli, në fjalën e tij, tha se dokumentet autentike arkivore të ekspozuara dëshmojnë për shtrirjen e popullatës shqiptare deri në Nish dhe Pirot, si dhe për jetën e tyre në qytetet e tjera në Serbi, si në Beograd, Kralevë, Smederevë, Kryshec etj.
“Në mënyrë faktografike janë paraqitur të dhënat për numrin e shqiptarëve në këto treva si dhe emrat e 703 vendbanimeve të Sanxhakut të Nishit, në të cilat kanë jetuar popullata shqiptare me rreth 250 000 banorë, duke filluar nga Alabana, Arabanasi e deri te Kastrati, Rudari e shumë fshatra të tjera”, tha Xhemajli.
E gjithë ekspozita është realizuar e në formë katalogu, e cila ka për qëllim që të shërbejë si udhërrëfyes informativ.
Ekspozita “Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877/1878” do të jetë e hapur për 10 ditë, me ç;rast qytetarët të kenë mundësinë të njihen me me një të kaluar, mjaft të dhimbshme, të historisë sonë, shkruan Ulpiana Press.