Instituti Kombëtar Demokratik me mbështetje të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID) kanë hapur Javën e Gruas.
Zëvendësshefja e misionit të ShBA-së në Kosovë, Collleen Hyland, tha se Kosova nuk ka arritur që të udhëheq në mënyrë të drejtë talentin e të gjithëve, raporton Ekonomia Online.
Ajo deklaroi se shembujt më të mirë për këtë dështim janë mospërfaqësimi i barabartë i grave dhe burrve në Qeveri, Kuvend e komuna.
“Luftimi i korrupsionit dhe transparenca më e madhe është jetike për gjithëçka çka Kosova po përpiqet të arrijë. Andaj edhe tema e kësaj jave është më se me vend. Për të arritur transparencë më të madhe Kosova duhet të udhëheq talentin e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe duhet të pranojmë se në këtë çast kjo nuk po ndodh”.
“Nëse e shohim vetëm përbërjen e Qeverisë e shohim që kjo nuk është mirë, kemi vetëm dy ministre, asnjë grup parlamentar nuk udhëhiqet nga një grua, asnjë nga komunat nuk udhëhiqet nga një grua. Duhet të dyfishojmë përprjekjet tona që të sigurohemi që zëri i grave të dëgjohet”.
Mexhide Mjaku Topalli, kryesuese e grupit të Grave Deputete tha se shpreson që Java e Gruas të jetë motivuese për gratë, por edhe për shoqërinë në Kosovë.
Ajo tha se këtë vit Java e Gruas do të ketë një dimension tjetër.
“Në gjashtë gjeneratat e Javës së Gruas janë trajtuar tema të ndryshme. Sot është kënaqësi kur shohim se shumë nga gratë pjesëmarrëse në Javën e Gruas kanë marrë guximin për hapësirën që iu takon.
Këtë vit kur Kosova ka hyrë në dekadën e dytë si shtet Java e Gruas do të ngrisë debatin në një dimension tjetër. Gjatë kësaj jave bashkë me ju do të diskutojmë për sfidat me të cilat ky shtet po përballet”.
Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka, tha se shpreson që diskutimet që do të bëhen gjatë kësaj jave do të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjes për problemet me të cilat përballen gratë por edhe shoqëria në përgjithësi.
“Diskutimet që vijojnë përgjatë kësaj jave me theks të veçantë në transparencën llogaridhënëse janë esenciale jo vetëm në konsolidimin institucional, por edhe në rimendimin e gjendjes aktuale. Shpresoj që ky cikël diskutimesh në kërkim të zgjidhjes të shnëdrrohet në një varg konsolidimesh”.
Java e Gruas është ngjarje kombëtare që mbledh 130 pjesëmarrës në baza ndërpartiake dhe ndëretnike, përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias.
Java e Gruas synon të bëjë bashkë gra dhe burra në Kosovë për të diskutuar çështjet me rëndësi për qytetarët, duke ofruar mundësi rrjetëzimi dhe të zhvillojë më tutje shkathtësitë e tyre si liderë të ardhshëm.