Hapet Panairi i Punës, ofrohen 2 500 vende të punës

Prishtinë | 19 Maj 2017 | 11:00 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është hapur Panairi i Punës – 2017 në Prishtinë i organizuar nga organizata GIZ dhe DIMAK në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në të cilin po marrin pjesë 100 biznese nga Gjermania dhe Kosova ku prezantojnë mbi 2 500 vende të lira pune.

Qëllimi i këtij panairi është që punëdhënësi të vihet në kontakt me punëmarrësin. Andaj në këtë panair mund të paraqitet secili që është i interesuar për punë dhe të paraqesin CV-të e tyre te kompanitë pjesëmarrëse, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se ky organizim nuk do të ishte i mundur pa një partneritet me organizatën GIZ.

“Ky aktivitet është vetëm një prikë e aktiviteteve që i kemi me GIZ-in për hapjen e vendeve të reja të punës. Është një mundësi e mirë t’i tregojmë, jo vetëm vetes, por edhe publikut se Kosova ka vende të reja pune ka vend për investime ka vend për ofrim të shërbimeve. Falënderoj të gjitha bizneset që edhe po krijojnë vende të mira pune, por edhe t’i zhvillojnë bizneset e tyre dhe falënderoj që po e bëjnë Kosovën një vend më të mirë”, tha Abrashi.

Përfaqësuesi i Ambasadës gjermane në Kosovë, Marten Menger, tha se meqenëse ekonomia në Kosovë është duke u përmirësuar paralelisht, “është lind nevoja edhe për personel të kualifikuar dhe kjo nevojë në të ardhmen do të rritet edhe më tutje”.

“Për momentin ne shohim një mangësi në ndërmjetësim është mangësia se si të vihen në kontakt punëdhënësi dhe punëmarrësi që e vështirëson që punëdhënësi me e gjet kandidatin e tij të kërkuar”, tha ai.

“Për momentin nuk ekziston një vend ku persona mund të drejtohen se kush ofron vende të lira punë. Qëllimi i këtij panairi është që punëdhënësi të vihet në kontakt me punëmarrësin, që do të thotë që Agjencia e Punësimit të bëhet e dukshme”, shtoi Menger.

“Njëqind kompani nga Kosova dhe Gjermania, ku të gjitha së bashku arrijnë pozita të lira për punë me mbi 2 500 vende, dhe për dallim të herëve të tjera, kemi arritur që shumica e pozitave të jenë për tregun e Kosovës. Sot gëzohem që takoj shumë punëdhënës nga Kosova dhe Gjermania që ofrojnë vende të reja të punës. Më e reja është se GIZ-i javën e ardhshme do të lansojë një projekt të ri për praktikantë”, tha Menger.

Kryetari i Unionit të Bizneseve të Diasporës, Nazmi Viqa, tha se ky union që nga themelimi i tij, e ka parë si shqetësuese shkallën e papunësisë dhe është munduar që sado pak të zbus këtë papunësi.

“Ne sot mund të themi, që një numër prej 5 000 punëtorëve që kanë ardhur në Gjermani janë të punësuar nëpër firmat e kosovarëve atje. Ne si union qysh nga viti 2015 me një shkresë ju kemi lutur kancelares Merkel që të gjejnë një mënyrë për punësimin e kosovarëve për punë sezonale atje dhe jemi të kënaqur që kjo ka ndodhur”, tha ai.

Përfaqësuesi i organizatës GiZ, James Mekbeth, tha se “së pari dua t’ju tregoj një fshehtësi dhe pastaj do të vazhdoj me fjalimin.

“Fshehtësia është se, dua të them se unë s’kam të bëjë asgjë me këtë organizim edhe pse ma përmendën emrin kaq shumë. Pikë shumë e thjeshtë që secilit i duhet një kulm mbi kokë, një punë për një kulm mbi kokë, ushqim që të mbaj familjen dhe shkollim për fëmijët… dhe ky është panairi më i madh se ai që e kemi hapur para 3 vite e gjysmë, andaj jam shumë i gëzuar që bashkëpunimi me ministrinë dhe organizatën tonë është kaq i mirë. Unë veç po dëgjoj shumë zhurma dhe jam i sigurt që numri i vizitorëve është rritur dhe ju dëshiroj sukses të gjithëve”, tha ai.

Image may contain: 3 people, people standing

Të ngjashme