Hapet qendra për fëmijët me autizëm në Ferizaj

Ferizaj | 19 Jan 2017 | 15:04 | Nga

Në kuadër të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Zaskok të Ferizajt, tash e tutje do të funksionojë edhe qendra për personat me autizëm.

Inaugurimin e kësaj qendre e bëri kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, së bashku me donatoren kryesore, Shpresa Xhaklin, e cila është nënë e një fëmije me autizëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari Svarqa, hapjen e kësaj qendre e ka vlerësuar tejet lartë, duke thënë se një qendër e tillë i ka munguar qytetit të Ferizajt.

“Ky është një fillim i mirë dhe në të ardhmen do të ketë mundësinë edhe të zgjerimit, jo vetëm nëpër hapësira fizike, por edhe në zgjerimit me kapaciteteve njerëzore me njerëz profesional që do të ndihmojnë dhe do të ndikojnë në trajtimin e të gjithë atyre që kanë nevojë për t’u trajtuar, dhe që janë prekur nga ky sindrom i cili për shëndetësinë tonë, është mjaft i komplikuar dhe i cili sipas shënimeve që kemi ka tendenca të rritjes”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai ka theksuar se në të ardhmen do të shikohen edhe mundësitë buxhetore që të trajtohen në mënyrë institucionale këta njerëz për të cilët shoqëria ka obligim që t’i trajtojë si qytetarë të barabartë të shoqërisë.

Ndërsa donatorja e kësaj qendre, Shpresa Xhakli, e cila ka bërë edhe dhurimin e mjeteve që duhet të punohet me fëmijët me autizëm, ka thënë se këtë gjë e ka bërë si një nënë që ka fëmijën e saj të sëmurë me këtë sëmundje. Ajo tha se ka shprehur vullnetin e saj që t’ju del në ndihmë të gjithë prindërve që kanë fëmijë të sëmurë me autizëm.

“Apeli për prindërit është, se nëse nuk bashkohen të gjithë prindërit për t’i ndihmuar fëmijët e tyre, askush nuk mundet ti ndihmojë, por duhet vet të bëjmë çmos që t’ju dalin në ndihmë sepse edhe fëmijët e juaj duhet të shkojnë në shkollë dhe të merren me aktivitete të ndryshme”, ka thënë Xhakli.

Ndërkaq Cen Krasniqi, kryetar i Shoqatës me Fëmijët me Autizëm, ka falënderuar komunën e Ferizajt dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në hapjen e kësaj qendre. Ai tha se kjo sëmundje çdo ditë ka tendenca të rritjes në Kosovës.

“Ne duhet të luftojmë që këta fëmijë të integrohen në përditshmërinë, duhet me pas programe shkollore me shku nëpër shkolla të rregullta, nëpër restorante dhe mos me hezitu për asgjë, sepse krim është nëse e fsheh fëmijën me autizëm. Në bazë të një prognoze që është bërë në vitin 2032 nëse vazhdon ky trend pa trajtim të duhur, ka me qenë çdo i dyti fëmijë me autizëm dhe duhet me ditë që kapacitete e këtyre fëmijëve janë shumë të mëdha nëse punohet mirëfilltë me ta”, ka thanë Krasniqi.

Me fëmijët me autizëm në këtë qendër do të punojë edhe psikologja Doruntina Asllani, e cila tha se me personat me autizëm punon që nga vitit 2009 dhe sipas saj, hapja e kësaj qendre ka qenë tejet e domosdoshme në komunën e Ferizajt.

“Krijimi i infrastrukturës na ndihmon shumë, sepse personat me autizëm janë raste shumë sfiduese dhe kërkon kushte dhe ambiente shumë të përshtatshme për trajtimin dhe avancimin e tyre”, është shprehur Asllani.

Qendra e autizmit do të punojë çdo ditë pune nga ora 8:00 deri në orën 16:00 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Zaskok.

Image may contain: people sitting and indoorImage may contain: 3 peopleImage may contain: indoor

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme