Pika kufitare Restelicë-Strazimir do të jetë tani vendkalimi tjetër kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Vendkalim ky që thuhet se do të ndihmojë edhe më shumë në bashkëpunimin mes të dyja vendeve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është shprehur se ky rajon kufitar gjithnjë ka kultivuar marrëdhënie të mira në mes banorëve Kosovës dhe Maqedonisë së veriut, e për çka thekson se duhet angazhim për lehtësimin e jetës dhe veprimtarisë së tyre.
“Si dy vende fqinje ne kemi marrëdhënie të mira ndërshtetërore. Dy shtetet tona gëzojnë marrëdhënie historike, politike, ekonomike dhe kulturore të cilat e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin tonë. Ky rajon ndërkufitar gjithmonë ka kultivuar marrëdhënie të veçanta në mes banorëve të dy vendeve. Bashkëjetesa e mirë e qytetarëve tanë nga dy zonat, përkundër kufijve na shtyn të angazhohemi për lehtësimin e jetës dhe veprimtarisë së tyre. Kjo do të hapë mundësi të reja të zhvillimit dhe bashkëpunimit në mes dy vendeve tona në sektorë të ndryshëm,” tha ai.