Një aktivitet argëtues i mirëpritur tashmë nga qytetarët e Prishtinës “Verë në Dimër”, ka nisur të mërkurën më 4 dhjetor, raporton Ekonomia Online.
Sheshi i kryeqytetit “Zahir Pajaziti” një ditë pas këtij aktiviteti është mbushur me bërllok.
Qytetarët e papërgjegjshëm kanë lënë gjithandej mbeturina. E këto nuk janë pastruar as sot.
Hapësira publike në shesh nga pakujdesia e qytetarëve ka marrë pamje tjetër.
Qytetarët thanë për Ekonomia Online se duhet vetëdijesim i të gjithëve. Ata thonë se përgjegjësia është e qytetarëve, por ka edhe të atillë që fajin ua hedhin kompanive që po shesin.
Qytetari Nuhi Krasniqi ankohet për mungesë të shportave të bërllokut.
“E pahijshme është tepër, ne krejt deklarohemi se qysh këta bërllok edhe vet e gjuajmë. U dashtë me qenë shportat e bërllokut e jo me i dhanë pamje të keqe qytetit. Ta ruajmë pastërtinë dhe ambientin tonë, vetura këtu nuk ka, por janë vet njerëzit që prishin ambientin”.
Qytetari Milaim Bislimi thotë se duhet të ketë një kujdestarë që i kryen këto punë. Sipas tij, edhe qytetarët duhet të jenë më të kujdesshëm.
“Këto janë çështje komunale nuk janë private. S’është e interesuar komuna edhe kjo e ka njëfarë hijeshie. Munden edhe ma mirë. Kjo është çështja e infrastrukturës komunale. Duhet të ketë një kujdestar që të kryhen punë. Për me u vetëdijesuar gjeneratat e reja po, ama gjeneratat e mëhershme nuk ndryshojnë. Për qytetarët e Prishtinës është që me qenë të kujdesshëm. Është mirë që secili me i kry obligimet e veta”.
Një qytetar tjetër, Hilmi Rrahmani, tha se për këtë gjendje faj kanë qytetarët, e sidomos rinia.
“Shumë keq, gjeneratat e re e kështu me i lanë, nga mbrëmë ka qenë kënaqësi me e pa, por tash gjatë ditës me e parë në këtë mënyrë është katastrofë. Nuk është vetëm faji i qeverisë, por edhe kompanive që e kanë organizuar”, tha ai për Ekonomia Online.