Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar zgjedhjet e raundit të dytë pas mbylljes së votimeve.
Duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për zgjedhje të lira dhe Demokratike, Haradinaj thotë se AAK në këto zgjedhje ka dëshmuar se është parti e organizuar dhe faktor i rëndësishëm politik në Kosovë.
Ky është postimi i tij:
Kosova ka zhvilluar edhe një proces të rëndësishëm, të drejtë e demokratik të zgjedhjeve dhe ka dëshmuar se është e përgatitur për të organizuar zgjedhje në standarde ndërkombetare.
E vlerësoj punën e madhe dhe të jashtëzakonshme të të gjitha institucioneve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve dhe njëkohesisht edhe mekanizmat e sigurisë që janë përkujdesur për mbarëvajtjen e këtij procesi.
I përgëzoj të gjithë qytetarët e Kosovës, në të gjitha komunat ku është zhvilluar raundi i dytë i zgjedhjeve, për pjesëmarrjen në këtë proces dhe pjekurinë e treguar politike duke shprehur vullnetin e tyre.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dëshmuar në këto zgjedhje se është parti e organizuar dhe faktor i rëndësishëm politik në Kosovë.
Uroj të gjithë kanidatët e AAK-së, që kanë fituar në komunat e tyre, përgëzoj të gjithë anëtarët e Aleancës dhe perkrahësit tanë për garën zgjedhore në të gjitha komunat dhe për përkushtimin për t’i qëndruar besnik vlerave tona.
Poashtu i uroj edhe të gjithe kandidatët e partive të tjera, që kanë shënuar fitore në komunat e tyre, dhe shpreh bindjen time se do të kemi bashkëpunim të shkëlqyer, pavarësisht përkatësive partiake!
Kosova sot ka dëshmuar se është vend i demokracisë me perspektivë të qartë.