Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo parti fokusimin kryesor dhe energjitë e saj i ka të orientuara për zgjedhjet komunale të radhës.
Haradinaj u ka premtuar të gjithë anëtarëve të Aleancës se do të jetë i angazhuar në përkrahjen e tyre në këto zgjedhje.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
E nderuar anëtarësi dhe struktura të Aleancës,
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë kësaj
kohe, fokusimin kryesor dhe energjitë e saj i ka të orientuara për zgjedhjet
komunale të radhës. Dhjetëra profesionistë të të gjitha fushave, përpos
ekspertizës, duke shpërfaqur edhe vullnet për punë, do të garojnë në këto
zgjedhje komunale.
Organizimi i brendshëm i Aleancës, mbështetet në
kuadrot që kanë gatishmëri e vullnet për angazhim. Ata të cilët për arsye të
ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga
përgjegjësitë që kanë në parti. Atyre u jemi mirënjohës dhe falënderues për
kontributin, qoftë edhe vetëm njëditor, në realizimin e qëllimeve të
përbashkëta.
Koha në të cilën po veprojmë, është kohë e sfidave
të mëdha dhe kërkon vullnet, përkushtim e guxim për punë. Jam tejet i lumtur që
Aleancës po i bashkohet një brez i tërë i të rinjëve, ta gatshëm të përballen
me sfidat e garës politike në të gjitha nivelet. Kjo garë, rezultatin e parë do
ta jap në zgjedhjet komunale, do të vazhdojë me zgjedhjet e rregullta të
brendshme në Parti, në pranverën e vitit që vjen, si dhe në zgjedhjet
parlamentare të ardhshme.
Duke iu uruar sukses mijëra anëtarëve të Aleancës
që janë të angazhuar në këtë proces, i siguroj se përkrahja ime do të jetë për
secilin që shpreh vullnet për punë në forcimin e mëtutjeshëm të organizatës
sonë të përbashkët.
Aleanca ishte dhe do të mbetet parti e vlerave
demokratike, në shërbim të Atdheut e të qytetarit.
RH