“Lehtësimi i procedurave burokratike dhe evitimi i pengesave të tjera burokratike është tejet i nevojshëm, për të siguruar investime të huaja direkte dhe për të garantuar stabilitet”, kështu tha Kryeministri Ramush Haradinaj, në takimin e thirrur nga Kryeministri, në të cilin ishin pjesëmarrës ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, përfaqësuesit e BERZH, ZRRE dhe KOSTT, si dhe përfaqësues nga institucione të tjera, përgjegjëse në fushën e energjisë.
Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet në sektorin e energjisë dhe për hapat që duhet ndërmarrë në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike sipas standardeve ndërkombëtare.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj ka njoftuar përfaqësuesit e BERZH-it, për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në Kosovë, për kapacitetet energjetike të Kosovës dhe për projektet e reja të energjisë së ripërtritshme, si hapa të rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryeministri Haradinaj falënderoi BERZH-in për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës, në zhvillimin ekonomik të vendit, duke shprehur gatishmërinë e Qeverisë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen dhe garancën për investime të sigurta në vend.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka vlerësuar se ka investitorë të cilët janë duke shprehur interesimin e tyre për investim në ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, të cilat do të hapin rrugë për vende të reja të punës, sigurimin e energjisë elektrike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Qëllimi i këtij takimi ishte njohja e procedurave dhe pengesave eventuale burokratike dhe angazhimi i të gjitha institucioneve për të evituar këto pengesa, në të mirë të investimeve strategjike dhe sigurimin e alternativave të sigurta në prodhimin e energjisë.
Ndërkaq, përfaqësuesit e BERZH-it thanë se do të ofrojnë përkrahjen e tyre dhe të Komunitetit të Energjisë për ta mbështetur Kosovën në sektorin e energjisë.