Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media tha se anëtarësimi në Interpol ka të bëjë me luftimin e krimit bashkë me vendet e tjera të rajonit.
“Është një temë me shumë rend dhe ligj dhe lufta kundër korrupsionit, kjo temë trajtohet nga niveli operativ policor, ne si politikë nuk mundemi me paragjyku por grupi punues i qeverisë është në veprim dhe spekulime në këtë kohë nuk ka nevojë me bërë”, tha Haradinaj.
Haradinaj foli edhe për largimin e Gent Begollit nga Telekomi, raporton Ekonomia Online.
“Me Gent Begollin kam bisedu pak para se të largohet nga detyra dhe ka shpjeguar sfidat në marrjen e vendimeve. Është e vështirë të merren vendime dhe për probleme të kompanisë Genti ka thënë se vizioni për me zhvillu kompaninë nuk është i sigurt në këto rrethana dhe ka dashur të largohet nga detyra dhe unë besoj se Genti mund të kryejë punë të shumta që të ketë sukses”.
Haradinaj tha se gjendja e fundit me të rinjtë në Prizren e brengos shumë, pasi që ai ka dashur që Gjermaninë ta sjellë në Kosovë dhe jo të rinjtë kosovarë të ikin jashtë vendit, raporton EO.
“Mua më dhemb kjo gjendje në Prizren dhe e ndiej, gjatë tërë vitit kemi punu që me e pru Gjermaninë në Kosovë dhe jo ne me shku. Shpresoj që qytetarët do mund të gjejnë vende të punës në Kosovë dhe jo jashtë saj”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se kanë qarkulluar disa lajme në lidhje me rritjen e buxhetit në kryeministri, por tha se kjo gjë nuk ka ndodhur.
“Nuk ka ndodh rritje në buxhet në kryeministri, por janë bartur disa agjenci me kërkesë së BE-së se në reformën e agjencive , kryeministria nuk është vetëm zyra e kryeministrit dhe bartja e agjencive nënkupton bartjen e buxhetit”, tha ai.