Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka bërë nderime pranë̈ lapidarit të dëshmorëve në Pejë, në shënim të Ditës së Dëshmorëve të Kombit Shqiptar.
Haradinaj tha se si ushtar i UÇK-së, ndihet gjithmonë i nderuar kur nderon bashkëluftëtarët e rënë për lirinë e Atdheut.
“Si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çdo herë ndihem i nderuar kur nderojmë bashkëluftëtarë të rënë dëshmorë gjithandej Kosovës për lirinë e Atdheut në të gjitha kohërat. Sa herë që jemi para monumenteve dhe shtatoreve ku pushojnë ata, iu japim çdo herë përparësi fëmijëve të dëshmorëve, shoqatave të dalura nga lufta dhe familjarëve të tyre duke i falënderuar gjithmonë që ia dhatë Kosovës dhe lirisë saj bijtë dhe bijat e juaja”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se lufta e UÇK-së ishte përveç e nevojshme, edhe e pashmangshme, sepse ndryshe nuk do të ndalej gjenocidi serb në Kosovë.
“Lufta ishte e nevojshme, ishte çka e pashmangshme, njëkohësisht ishte luftë e drejt, mbrojtëse e cila njihet edhe me të drejtën ndërkombëtare kur rrezikohesh duhet të mbrohesh, kështu ndodhi edhe me luftën tonë çlirimtare, largimin e okupimit dhe ndaljen e gjenocidit serb në Kosovë”, shtoi ai.
Haradinaj i ka quajtur të dështuara përpjekjet për t’i dhënë dimension tjetër luftës çlirimtare.
“Të gjitha përpjekjet që me i dhënë dimensione tjera luftën për çlirimin e Kosovës, janë përpjekje të dështuara që në start, do të dështojnë gjithnjë. Të gjallët janë ata që mund të bëjnë punë të mira, por edhe të gabojnë, ndërsa të rënët janë ata që në e trasuan rrugën”, përfundoi Haradinaj.
https://www.facebook.com/179643115493444/videos/217036649859275