Ramush Haradinaj është zotuar se Qeveria e Kosovës do të angazhohet të përmbyllë të gjitha çështjet me kohë, që ndërlidhen me Reformën në Administratën Publike.
Kryeministri i Kosovës ka shprehur përkushtimin e qeverisë së tij në takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe shefen e Misionit të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me të cilët ka biseduar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe procesin e Reformës së Administratës Publike.
Në një njoftim për media thuhet se me theks të veçantë është biseduar për procesin e finalizimit të tri ligjeve, të cilat e rregullojnë administratën publike në Kosovë. Lidhur me këtë temë kryeministri Haradinaj ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të gjitha çështjet që ndërlidhen me Reformën në Administratën Publike, të përmbyllen në afat optimal.
“Këto ligje rregullojnë administratën shtetërore që ndërlidhet me Agjendën e Reformave Evropiane, e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe që janë shtylla e një shteti funksional”, tha Haradinaj, transmeton Ekonomia Online.
Ishte dakordim i përbashkët që institucionet e Kosovës me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, të finalizojnë hartimin dhe miratimin e pakos së Ligjeve të Administratës Publike, të cilat kanë kaluar nëpër një proces të gjatë, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.