Haradinaj-Daçiqit: Unë kam qenë luftëtar lirie, ti pushtues

Prishtinë | 12 Shk 2017 | 18:24 | Nga

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vazhduar replikat me Ivica Daçiqin, ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, të cilit ia ka kujtuar të kaluarën e tij si bashkëpunëtor i Millosheviqit.

“Ivica Daçiq, ka hapur luftë personale me mua, që e kam mbrojtur shtëpinë e popullin tim dhe po i harron krimet që i ka kryer vet e shokët e tij edhe në gra e në fëmijë. Unë kam qenë luftëtar lirie e jo pushtues e vrasës si ai e shefi i tij”, ka shkruar Haradinaj, në faqen e tij në Facebook, ku ka postuar dhe një fotografi ku shihet Daçiqi teksa i duartroket ish-shefit të tij.

Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq, ka komentuar për mediet serbe ndalimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze. “Ramush Haradinaj është në gjyq jo si politikan, por nga ana e Serbisë është paditur për shkak se ai ka kryer krime lufte dhe ka vrarë civilë. Haradinaj mundet edhe të dalë, por për ne mbetet një kriminel lufte”, ka thënë Daçiqi.

Postimi i plotë:

Kur të vërsulet krimineli!
Ivica Daçiq, ka hapur luftë personale me mua, që e kam mbrojtur shtëpinë e popullin tim dhe po i harron krimet që i ka kryer vet e shokët e tij edhe në gra e në fëmijë.
Unë kam qenë luftëtar lirie e jo pushtues e vrasës si ai e shefi i tij!
Pavarësisht se kam bërë luftë mbrojtjëse e në përputhje me ligjet ndërkombëtare të luftës, unë i jam përgjigjur drejtësisë ndërkombëtare, e nuk jam fshehur si ai qindra zyrtarë të tjerë serbë, të cilët bashkë me Daçiqin, i kanë zhdukur dëshmitë e krimeve të kryera në Kosovë!
Daçiqi duhet të flasë për krimet e tij e të shokëve të tij, e të mos kujtoj që i shlyen krimet e veta duke shpifur ndaj meje!
Unë kurrë nuk jam shqetësuar kur më janë vërsulur kriminelë të tipit të tij, as në 98-99 e as sot!
Ai duhet të shqetësohet për krimet e veta, sepse unë kam dalë i pastër si loti!
Hala nuk është vonë që drejtësia ndërkombëtare ta shohë e ta gjykojë jetën kriminale të Ivica Daçiqit dhe jo vetëm!
RH

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme