Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim themeluesin e shoqatës bamirëse, “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati.
Duke e quajtur njeri me vlera të mëdha që gjithë angazhimin e tij po ia dedikon njerëzve në nevojë, kryeministri Haradinaj shprehu respektin për punën e tij dhe gjithë organizatës që ai drejton në shërbim të familjeve dhe njerëzve në nevojë.
“Qeveria e Kosovës është duke punuar në vazhdimësi që qytetarëve të vendit t’iu ofrojë një jetë të dinjitetshme, megjithatë gatishmëria e njerëzve të vullnetit të mirë dhe puna humanitare sikurse e z. Kastrati është gjithmonë e mirëseardhur”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar angazhimin dhe humanitetin e tij për t’iu dal në ndihmë familjeve dhe njerëzve në nevojë.
Kryeministri Haradinaj, po ashtu shprehu gatishmërinë e Qeverisë së vendit për mbështetjen në projektet e kësaj organizate, me theks të veçantë mbështetjen për ndërtimin e një jetimoreje për fëmijët e braktisur.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj në emër të Qeverisë së Kosovës, në shenjë falënderimi për punën e madhe humanitare, si një vlerë komplementare, ka nderuar me dekoratën e Kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, humanistin dhe themeluesin e shoqatës bamirëse, “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati.
Ndërkaq, themeluesi i shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati u shpreh mirënjohës për pritjen dhe dekoratën e dhënë nga kryeministri Haradinaj për të cilën tha se ia dedikon të gjithë shqiptarëve të vullnetit të mirë të cilat janë kontribuesit kryesor dhe i vetmi burim i financimit të shoqatës, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.
Haradinaj tha se atë çfarë bën Halil Kastrati është humanizëm në shprehje.
“Ajo që bën zoti Kastrati është një humanizëm në shprehje. Sot theksin e vura vetëm tek humanizmi. Unë si person bëj mirë dhe kam bë gjatë gjithë jetës”, tha Haradinaj.