Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it në Kosovë, Salvatore Cuoci, me të cilin ka bashkëbiseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe ishte vlerësim i përbashkët se në Kosovë mbretëron një situatë e mirë e sigurisë.
Kryeministri Haradinaj, ka vlerësuar rolin e komandantit dhe të ushtarëve të KFOR-it, për angazhimin e tyre në Kosovën dhe popullin e saj, duke i falënderuar ata për kontributin e tyre në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë.
“Nën udhëheqjen tuaj KFOR-i ka dhënë kontribut në krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe për këtë u jemi mirënjohës si vend dhe si popull”, tha kryeministri Haradinaj.
Më tej, kryeministri Haradinaj, ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, në proceset zhvillimore të vendit, duke veçuar bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës, si një forcë profesionale, multietnike dhe gjithëpërfshirëse.
Për rolin konstruktiv në krye të KFOR-it dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, kryeministri Haradinaj e ka nderuar Komandantin e KFOR-it, Salvatore Cuoci me “Hartën e Artë të Kosovës”, raporton Ekonomia Online.
Ndërkaq, komandanti i KFOR-it në Kosovë, Salvatore Cuoci, i ka prezantuar kryeministrit Haradinaj të arriturat e ushtrimit “Shpata e Argjendtë”, ushtrim ky që organizohet nga KFOR-i dhe përfshinë të gjitha institucionet vendore të sigurisë dhe ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë me të gjitha institucionet vendore, veçmas me ato të sigurisë.
Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje gjatë takimit.