Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, që do të transmetohet sonte, tha se nuk i kupton reagimet e presidentit turk ndaj tij, ndërsa theksoi se askush nga jashtë nuk do të marrë vendime për punët e brendshme të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj tha se nuk dëshiron të paragjykojë se kush mund të ketë urdhëruar operacionin e arrestimeve dhe deportimit që sipas tij ishte një lloj vjedhjeje e njerëzve nga Kosova.
Zëri i Amerikës: Z. Kryeministër për tri ditë me radhë jeni sulmuar nga presidenti turk Erdogan për shkak të qëndrimit tuaj ndaj arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq, si i patë këto sulme?
Kryeministri Haradinaj: Kosova ka një kujdes në marrëdhëniet me të gjitha shtetet tjera edhe me Republikën e Turqisë. Jemi mirënjohës për njohje, për përkrahje në planin ndërkombëtar në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, tani kemi aplikuar për Interpol në këtë vit dhe kemi qenë shumë të kujdesshëm që të mos ndërhyjmë në punë të brendshme të ndonjë shteti tjetër edhe të Republikës së Turqisë. Ndalimi i gjashtë shtetasve turq në Kosovë dhe deportimi i tyre ka paqartësi, pra te mënyra e revokimit të lejes së qëndrimit, është procedurë shumë e shpejt dhe deportim i fshehtë dhe bazuar në këtë dhe për faktin që nuk kam qenë i informuar do të thotë kam marr vendim dhe i kam shkarkuar parevokueshëm ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e agjencisë së inteligjencës së Kosovës. Reagimet e presidentit (Erdogan) nuk i kuptoj, ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të Turqisë, këto janë punë të brendshme tona edhe askush nuk do të ketë vendimmarrje në punët e brendshme të Kosovës.
Zëri i Amerikës: A mund të ndikojnë këto në marrëdhëniet e ardhshme me shtetin turk?
Kryeministri Haradinaj: Tani duhet të shkojmë me kujdes, ne jemi të kujdesshëm edhe si popull shqiptar jemi popull i respektueshëm. Mirëpo gjithashtu, gjithkush duhet të dijë kufijtë e vet. Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të respektojnë zhvillimet e brendshme institucionale, kushtetutën e vendit tonë.
Zëri i Amerikës: Arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq vazhdon të jetë i mjegulluar. Kush është përgjegjës për këtë operacion?
Kryeministri Haradinaj: Operacioni ka ndodhur në Kosovë, jemi ne, institucionet e Kosovës dhe udhëheqësit politikë e institucionalë. Meqenëse operacioni ka ndodhur prej dikastereve, njëri është ekzekutiv pra Ministria e Punëve të Brendshme, por po ashtu roli i Agjencisë së Inteligjencës, do të thotë Kosova e ka ndërmarrë veprimin më të madh të mundshëm dhe ka shkarkuar kokat e sigurisë në vend, do të thotë janë shkarkuar përgjegjësit por po ashtu kemi nisur edhe hetim të gjithanshëm për këtë.