Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, në shënim të përvjetorit të vdekjes së tij. Pas homazheve, kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga veprimtari i njohur shqiptaro-amerikan, Hajdar Bajraktari, vizitoi familjen e presidentit Rugova, ku u prit nga bashkëshortja e tij, Fana, djemtë Mendimi e Uka, vajza Teuta, si dhe anëtarët tjerë të familjes.
Kryeministri Haradinaj vlerësoi lartë figurën e presidentit Dr.Ibrahim Rugova, duke kujtuar të arriturat që ai i bëri për vendin dhe popullin e tij.
“Është përvjetori i vdekjes së presidentit tonë të parë, Ibrahim Rugova. Kemi bërë nderime tek varri dhe ishim edhe te familja”, tha Haradinaj.
“Sot për simbolikë, ashtu sikur edhe Presidenti ka qenë çdo herë i përcaktuar, sytë dhe orientimin kah Amerika, unë kam një bashkatdhetar, shqiptaro-amerikan, Hajdar Bajraktarin, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë afër Presidentit. Nuk është i vetmi, ka pasur shumë shqiptarë që e kanë përkrahur atë lëvizje për Kosovën e pavarur para luftës, gjatë luftës, por edhe sot. I shprehim respekt jetës dhe veprës së presidentit Rugova. Është një respekt i përjetshëm.”, ka thënë kryeministri Haradinaj, pas vizitës që i bëri familjes së presidentit Rugova.
Hajdar Bajraktari, bashkatdhetari nga Amerika, tha se ishte respekt të bënte homazhe bashkë me Kryeministrin.
“Ishte respekt ta nderojmë Presidentin dhe të jem me Kryeministrin në një datë të rëndësishme për popullin tonë në të cilën nuk po e harrojmë presidentin e parë të Kosovës”, u shpreh Bajraktari.