Haradinaj dhe Sejdiu debatojnë rreth marrëveshjes mes “Contour Global” dhe Qeverisë

Prishtinë | 31 Maj 2018 | 16:16 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dardan Sejdiu, në emër të PSD-së si parashtrues të interpelancës në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, prezantoi implikimet që do të ketë termocentrali “Kosova e Re” në ekonominë e vendit.

Ai tha se Qeveria ka themeluar ndërmarrjen e re energjetike të Kosovës “ENKEDS” për t’ia garantuar blerjen e energjisë elektrike Countur Global-it me çmim gjithashtu të garantuar prej 80 euro.

Gjithashtu Countur Global-it i garantohet qymyr i cilësisë së garantuar për 20 vitet e ardhshme.

Ai tha se me ndërtimin e këtij termocentrali çmimi i energjisë elektrike do të rritet për 53%.

“Kontrata e nënshkruar i ka 8 marrëveshje, janë në gjuhën shqipe ende nuk janë përkthyer. Kontrata nuk parasheh fare asnjë nen për ndryshim të pronësisë, Countur Global nesër mund të marrë vendim që të shesë këtë projekt, dhe mund të ndërrojë pronësinë pa asnjë problem”.

“Kostoja e këtij projekti është 1,3 miliardë euro, 70% në formë të kredisë, 30% ekuitet. Me këtë kombinim 70 dhe 30 kjo kosto do të shkojë 2,6 miliardë euro. Kontrata është e tipit Ndërto, Opero, Transfero”.

Ai propozoi që të ndërprehet kjo marrëveshje e dëmshme për vendin, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, e kundërshtoi Sejdiun duke i thënë se në këtë prezantim ka shumë të pavërteta.

“Ka shumë të pavërteta në prezantimin e juaj. Ju po thoni na ju sigurojmë qymyr. Na si Kosovë a e falim a e shesim? Ne shesim produkt tonin dikujt në Kosovë dhe marrim pare prej qymyri. Ky termocentral ka disa pika kryesore pozitive: Siguria e energjisë elektrike me kapacitet 500 megavat; Përballueshmëria e tarifave do të ketë efekt të përballueshëm të tarifave; Mbrojtja optimale e mjedisit”.

“Këtë e kam gjetë në fazën finale, i kam pasë dy zgjedhje, një me lënë vjerrë edhe këtë vit, veç me çu kohën optimale të mbetur që me vepru. Kemi investime në energji në teknologjinë më të avansuar. Me këtë Kosova nuk është e rrezikuar, po hyjmë në një investim më të madhin per vendin tonë që ka ndodhë deri më tash”.

“Ato që po thoni ju nuk qëndrojnë. Kemi hyrë në një investim të rëndësishëm për Kosovën, ky vendim nuk është marrë për interes të caktuar”.

Kryeministri Haradinaj tha se ZRrE-ja nuk mund ta dijë që tani për rrjedhjen e çmimeve në të ardhmen.

“Nuk besoj që ZRrE-ja është kaq e meçme me na tregu neve për rrjedhjen e çmimeve si kanë me qenë në të ardhmen. ZRrE nuk na tregon neve për çmimet”.

Dardan Sejdiu, nga PSD-ja, iu kundërpërgjigj kryeministrit duke thënë se ai i beson ZRrE-së e jo Countur Global-it.

“Unë i besoj dikujt si ZRrE e jo dikujt që nuk i ka paret me investu në Kosovë si Countur Global. Qeveria do t’i ndajë 250 milionë euro çdo vit për ta financuar ndërmarrjen e re energjetike, e cila është e obliguar t’ia blejë Countur Global-it energjinë elektrike”.

Kryeministri Haradinaj, e ka quajtur fitore këtë  projekt, raporton EO.

“Nuk është Countur Global si diçka që i bën krejt, po ai gjen partner. Dikush ia bjen turbinën, dikush ata. Nëse ai kërkon paret ai na ka bërë nderë beso, një kompani e botës me thanë po kërkoj partner për me shku me investu në Kosovë. Kosova nuk do të japë pare Dardan, asnjë cent nuk jep Kosova për këtë projekt. Është fitore që ka përfitu ky vend, mos ta përzijmë këtë”.

Lumir Abdixhiku, në emër të GP të LDK-së, tha se ky projekt meriton vëmendje profesionale dhe konsensus shoqëror.

“Projekti që po flasim sot meriton vëmendje profesionale dhe konsenus shoqëror. Pa konsenus shoqëror, pa 2\3 e Kuvendit nuk mund të kalojë ajo marrëveshje. Ne duhet të kemi pavarësi energjetike në vend”.

Ai tha se do ua bëjmë të qartë qytetarëve që me fillimin e termoncentralit të ri, qytetarët do të paguajnë 60% më shtrenjtë energjinë elektrike.

“Edhe ne kemi interes qat sasi të energjisë, nuk kemi interes tjetër. Investitori ka hy në marrëdhënie serioze për ne”, tha kryeministri Haradinaj.

 

Të ngjashme