Diskutimi i kufijve dhe i territorit me Serbinë do të ishte kthim mbrapa dhe do të ndikonte në destabilizim të situatës në rajon.
Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë.
Sipas kreut të qeverisë, presidenti Hashim Thaçi nuk ka as mandatin dhe as përkrahjen që të bisedojë për këtë çështje me Serbinë.
“Qëndrimi ynë dhe i Kosovës është se e synojmë një marrëveshje ligjore për njohje. Kufijtë, territori nuk janë temë e diskutimit.
“Kufijtë dhe territoret janë kthim mbrapa dhe janë nxitje e destabilizimit të rajonit. Ajo që po e thotë presidenti është në kuadër të kësaj retorikës, nëse është ndryshe atëherë kemi probleme serioze në Kosovë. Nuk ka përkrahje e as mandat askush për të biseduar për kufijtë për territorin.”
Haradinaj tha se diskutimet e ngritura nga Thaçi për kufijtë me Serbinë i ka krahasuar me bisedimet të cilat kanë shkaktuar tragjedi në kohën e ish Jugosllavisë.
“Ne kemi kufi, Kosova i ka kufijtë shumë mirë të shënuar me Serbinë . Diskutimi për kufijtë është kthim mbrapa është humbje për Kosovën. Janë 20 vjet investim të NATO-s”
“Kjo i ngjason bisedimeve që i kanë bërë ata që i kanë shkaktu tragjeditë në ish Jugosllavi”, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Ramush Haradinaj, gjithashtu, tha se do të përkrahë kërkesën e opozitës që me Serbinë të mos diskutohet për kufijtë.
Paritë opozitare ka ditë që kanë përmendur mbajtjen një seance të jashtëzakonshme, në të cilën do të diskutohet për dialogun dhe do të miratohej rezoluta, e cila kërkon që tema e kufijve të mos diskutohet me Serbinë.
Sipas Haradinaj, një mundësi për të diskutuar për dialogun opozitës i është ofruar çdoherë, mirëpo që kjo e fundit nuk ma mundur ta shfrytëzojë.
“Nuk e di a do të munden ta shfrytëzojnë si mundësi….”, tha Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se ngritja e mocionit të mosbesimi nga opozita do të ishte legjitime.
“Mocioni për mosbesimin është legjitim për opozitën, në çdo kohë është legjitim, nëse e rrëzon Qeverinë, e ka kry misionin që e ka opozita”, tha Haradinaj, raporton Ekonomia Online.