Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit të tij në ShBA ka vizituar memorialin përkujtimor për viktimat e 11 shtatorit në Nju Jork.
Sipas një komunikate nga Qeveria, Haradinaj ka thënë se Ekzekutivi i vendit do të ndërtojë një memorial në oborrin e saj për të nderuar çdo vit jetët e humbura nga sulmi terrorist 11 shtatorit 2001 në ShBA, transmeton Ekonomia Online.
“Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, bota demokratike u tronditë nga sulmet terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork, Uashington dhe Pensilvani. 11 Shtatori i vitit 2001 ishte i kobshëm jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan, por edhe për botën e civilizuar e demokratike. Kosova dhe populli i saj, e ndjenë dhe e kupton dhimbjen e familjarëve që humbën më të dashurit e tyre. Edhe sot nga ky vend lutjet tona shkojnë për familjet e viktimave, për popullin dhe shtetin mik amerikan”, tha kryeministri Ramush Haradinaj, pas homazheve që bëri te Memoriali Përkujtimor i viktimave të 11 shtatorit në Nju Jork.
Duke vizituar vendin ku 17 vjet më parë ndodhën sulmet terroriste, të cilat goditën zemrën e demokracisë botërore, kryeministri Haradinaj rikonfirmoi gatishmërinë e Kosovës dhe institucioneve të saj për të qenë krah SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit global.
Kryeministri Haradinaj tha se shqiptarët kudo që janë solidarizohen me popullin amerikan dhe u janë mirënjohës përjetë SHBA-së për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Kryeministri Haradinaj, tha se në shenjë kujtimi dhe nderimi për 3000 viktimat e sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, në mesin e të cilëve ishin edhe shqiptarët që jetonin dhe vepronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marr vendim që në oborrin e Qeverisë të ndërtojë Memorialin e përhershëm për të nderuar jetët e humbura të akteve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, ku çdo vit do të bëhen nderimet për viktimat e këtij akti të shëmtuar terrorist.
“Ne nuk do të harrojmë kurrë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë prijëse për shpëtimin e jetëve tona në kohërat më të vështira të luftës së Kosovës. Andaj është e kuptueshme ndjenja e përkrahjes për familjet e viktimave, por edhe përkrahja e popullit të Kosovës për luftën kundër terrorizmit”, tha kryeministri Ramush Haradinaj, duke theksuar se Kosova do të jetë përherë përkrahëse e fushatës së gjerë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizimit.