Haradinaj: Duhet të japim maksimumin që ta kthejmë besimin në institucionet e vendit

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 12:39 | Nga

“Të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm për detyrat që i kemi dhe nga pozicioni ku jemi duhet të japim maksimumin që ta kthejmë besimin në institucionet e vendit dhe ta përmirësojmë punën tonë”, ky ishte mesazhi i Kryeministrit Ramush Haradinaj në takimin e sotëm, i teti me radhë, i nivelit të lartë për sundimin e ligjit, ku u prezantuan të arriturat e muajve të fundit nga institucionet përkatëse, dhe në veçanti puna e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Kryeministri Haradinaj kërkoi nga drejtuesit e këtyre mekanizmave që rregullojnë funksionimin e prokurimit publik që të angazhohen më shumë në arritjen e rezultateve dhe rritjen e besimit të qytetarëve, duke theksuar se prokurimi publik është pjesë e rëndësishme e reformave që kërkohet t’i bëjë Qeveria e Kosovës në rrugën drejt integrimit në BE.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka shënuar progres sa i përket prokurimit, duke theksuar seStrategjia Kombëtare e Prokurimit Publik për periudhën 2017-2021, është një prej strategjive shumë të rëndësishme për vendin.

Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, prezantoi në detaje punën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, duke theksuar se 97% e të gjitha procedurave dhe aktiviteteve të prokurimit kryhen përmes platformës elektronike të prokurimit.  

“Platforma e prokurimit elektronik është një nga sistemet më të përdorura në nivel qeveritar dhe biznesi”, tha Hoxha.

Kryetari i Bordit të KRPP-së, foli edhe për sfidat që e kanë përcjell KRPP gjatë vitit 2017 në zbatimin dhe funksionalizimin e prokurimit elektronik, për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të KRPP-së dhe mos-adaptimit të legjislacionit aktual me prokurimin elektronik.

Ndërsa, në prezantimin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, u tha se janë 16 institucione për të cilat ky agjencion i kryen procedurat e Prokurimit, derisa sfidë mbetet mungesa e resurseve dhe vonesa në bashkëpunim e autoriteteve kontraktuese.

Nga ana tjetër, Blerim Dina nga OSHP tha se në vitin 2017 janë pranuar 541 ankesa në këtë institucion dhe janë shqyrtuar 459 apele, derisa sfidë e këtij organi mbetet mungesa e personelit mbështetës dhe mos ekzekutimi i vendimeve.

Në këtë takim, që u kryesuar nga Kryeministri Haradinaj u prezantuan edhe të arriturat në Ministrinë e Drejtësisë, Doganën e Kosovës, Policinë e Kosovës, nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Supreme dhe Agjencia Kundër Korrupsion.

Nga këto prezantime u kuptua progresi i arritur në këto institucione në këta muajt e fundit, veçmas në rekrutimin e gjyqtarëve të rinj dhe stafit mbështetës dhe në kalimin e projektligjeve nga ana e Qeverisë së vendit, tejet të nevojshme në përafrimin me agjendën evropiane.

Pjesë e takimit ishin edhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, Shefja e Misionit të BE-së Nataliya Apostolova, Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos, Shefja e Misionit të USAID-it Lisa Magno, dhe përfaqësues të tjerë institucional.

Në fund të këtij takimi, Kryeministri Ramush Haradinaj ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e angazhimit konkret nga ana e të gjitha institucioneve, duke thënë se bartësit institucional, bartin edhe përgjegjësitë dhe për secilën sfidë duhet dhënë llogari për punën që bëjmë.

 

 

Të ngjashme